Trajneri i Vllaznisë, Thomas Brdariç, ka qenë tejet i pakënaqur pas humbjes së skuadrës së tij përballë Dinamos në gjysmëfinalen e Kupës. I pakënaqur me gabimet e skuadrës ë tij, por edhe me disa vendime të gjyqtarit.
“Së pari dua të uroj Dinamon që shënoi 4 gola dhe e meritoi të kualifikohej.
Ne e treguam që kishim mentalitet e dëshirën për t’u kthyer në lojë dhe në fund ishim shumë pranë. Mund të kishim shkuar në 4 me 4, por shumë gjëra ndodhën midis fundit të pjesë së parë dhe minutave të fundit.
E lejuam Dinamon të shënonte gola shumë të thjeshtë, ishin disa gabime individuale që na vranë.
E dinim që Dinamo është ekip i fortë dhe i shfrytëzon mundësitë më të vogla për të shënuar. E nisëm lojën mirë, por në fund më vjen keq për djemtë dhe sakrificat e bëra për të ardhur deri në gjysmëfinale. Por me këto gabime që bëmë, nuk mund të shkosh në finale.
Nervozizmi në fund? Pikë së pari, nuk isha aspak nervoz. Isha i qetë, u përpoqa që të mbështesja djemtë nga jashtë fushës. Zëvendësimet ishin të mira, gabimet ishin shumë. Por në përfundim të ndeshjes kishte shumë zëvendësime, shumë pak lojë. Loja u ndalua 2-3 herë dhe nuk e kuptoj se si arbitri mund të jepte vetëm 6 minuta shtesë.
Minimumi duheshin dhënë 9 apo 10 minuta. Ndaj dikush duhet të më shpjegojë pse u dhanë aq pak me gjithë ato ndërprerje loje. Nuk më duket korrekte, nuk ishte e drejtë”, tha Brdariç.