Reijnders: Derbi i fundit ishte më i miri nga pesë të këtij sezoni

- Bota Sot

Reijnders: Derbi i fundit ishte më i miri nga pesë të këtij sezoni

"Milano është kuqezi, sepse këtë sezon Interi nuk na ka mposhtur asnjëherë. Kemi treguar çfarë dimë të bëjmë, derbi i fundit ishte më i miri nga pesë që kemi luajtur këtë sezon". Fjalë të fuqishme, të një lideri të vërtetë, dhe nuk mund të ishte ndryshe. Në një sezon me ulje dhe ngritje të Milanit, Tijjani Reijnders ka qenë pa dyshim një nga notat më pozitive.

Holandezi ka dhënë një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, ku ka shprehur ambiciet e tij: “Fitorja e Kupës së Italisë mund të na mundësojë pjesëmarrjen në kompeticionet europiane të ardhshme, duhet të provojmë ta arrijmë atë”.

Me 15 gola dhe 4 asistime këtë sezon, Reijnders tregon se është në një formë të shkëlqyer: “Çdo lojtar dëshiron të shënojë dhe të japë asistime për shokët e skuadrës. Edhe më parë isha pranë golit, por nuk isha aq konkret sa tani.

Gjatë këtyre muajve kam punuar shumë, kam biseduar me miqtë dhe familjen, veçanërisht me babain tim Martin dhe vëllain Eliano, të cilët më ndihmuan të kuptoj se si mund ta ndihmoj skuadrën me lojën time. Kam punuar shumë në aspektin mendor. Tani, kur godas ose kërkoj një pasim vendimtar, jam më i përqendruar dhe më i qetë”.

I pyetur për dështimin e Milanit për të ruajtur vazhdimësinë pozitive në kampionat, Reijnders tha: “Nuk ka një shpjegim të qartë për këtë, përveç faktit që nuk kemi qenë të qëndrueshëm në paraqitjet tona. Në Serie A kemi humbur shumë pikë.

Një shembull është fitorja në ‘Bernabeu’ kundër Realit, e ndjekur nga barazimi në Cagliari. Nëse do të luftosh për titull, nuk mund të lejosh që të ndodhin këto gabime. Duhet të bëjmë shumë më mirë në këtë fund sezoni dhe në sezonin tjetër. Jam i bindur se do të përmirësohemi”.

Për sa i përket të ardhmes së tij, holandezi zbulon se disa klube të mëdha janë të interesuara, por ai ka vendosur të rinovojë me Milanin deri në vitin 2030: “Të jetoja në Itali dhe të luaja për një klub si Milani ka qenë ëndrra ime e fëmijërisë. Familja ime është e lumtur këtu, kur ma ofruan rinovimin, ishte një vendim i lehtë për mua. Falënderoj klubin, pasi drejtuesit ishin të shpejtë për ta zgjatur kontratën time dhe tani jam i lumtur”.

Milanin e pret një mundësi e madhe për të fituar trofe këtë sezon, me finalen e Kupës së Italisë që është në horizont: “Fitorja e Superkupës ishte fantastike, ndjeva emocione të jashtëzakonshme. Kjo më bëri të synoj më shumë trofe me këtë fanellë. Të jesh në finalen e Kupës së Italisë është një mundësi e madhe, duhet të shkojmë në Romë me një qëllim të vetëm: ta sjellim kupën në Milano. Bologna është një kundërshtar i fortë, që luan futboll të bukur me zotërim topi, ka cilësi në sulm, sidomos nga krahët. Do të jetë një finale e vështirë, por krahasuar me ndeshjen që humbëm në kampionat, tani luajmë ndryshe. Jam i bindur se do të bëjmë më mirë”.

Për punën e trajnerit Conceição, Reijnders është i qartë: “Ai ka shumë merita për arritjen në finale. Moduli i ri i tij iu përshtatet mirë karakteristikave të skuadrës. Gjithmonë ka vend për përmirësim, por jemi në rrugën e duhur”.

Një nga ëndrrat më të mëdha të Tijjani është ta çojë Milanin në lartësinë më të madhe: “Synimi im është të fitoj trofe. Këtë sezon mund të fitojmë dy trofe, por në të ardhmen, ëndrra ime më e madhe është të vendos yllin e dytë mbi stemën e Milanit. Jam i dashuruar me këto ngjyra, e kam për nder ta vesh fanellën e Milanit”.



Lexoni të gjitha në Bota Sot