Flick: Fitorja ndaj Real Madrid motiv shtesë për ndeshjen me Inter

- Bota Sot

Flick: Fitorja ndaj Real Madrid motiv shtesë për ndeshjen me Inter

Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka deklaruar të martën se triumfi në finalen e “Copa del Rey” kundër Real Madrid nuk do të ndikojë negativisht te skuadra para ndeshjes së parë gjysmëfinale të Champions League ndaj Inter, që zhvillohet të mërkurën në “Camp Nou”.

Në fundjavë, katalanasit kanë fituar ndaj rivalit historik të Madridit me rezultat 3-2, duke fituar një  kupë dhe duke mbajtur të gjallë ëndrrën për tripletën, pasi janë në garë edhe në La Liga dhe në  Champions League.

“Jo, ajo që shoh është se të gjithë janë të përqendruar te kjo ndeshje, e dinë sa e rëndësishme është të arrijmë finalen e Champions League”, ka deklaruar Flick në një konferencë për media. “Fitorja ndaj Realit ka një ndikim shumë pozitiv në moralin e ekipit dhe mund të na japë një shtysë shtesë. Është një ëndërr për të gjithë që jemi këtu, por duhet të mbetemi të përqendruar. Inter ka lojtarë që ndoshta janë për herë të fundit në një rast të tillë dhe do të japin gjithçka”. 

Flick ka thënë se ende nuk ka vendosur për formacionin titullar, duke shtuar se do të vlerësojë gjendjen fizike të lojtarëve në stërvitjen e fundit. “Do ta shohim nesër. Sot nuk është dita për të folur për formacionin, sepse duhet parë si rikuperohen lojtarët pas asaj ndeshje shumë të lodhshme”, ka shtuar ai.

Gjithashtu Flick ka konfirmuar se Wojciech Szczesny do të vazhdojë të jetë portieri i parë në Champions League, pavarësisht rikthimit të Marc-André ter Stegen nga një lëndim i gjatë.

Në anën tjetër, Inter vjen në këtë ndeshje pas një jave zhgënjyese, eliminimi nga gjysmëfinalja e Coppa Italia dhe dy humbje në kampionat. Por Flick ka refuzuar të ndikohet nga forma e fundit e kundërshtarit. “Nuk ka rëndësi çfarë ka ndodhur më parë. Inter është vetëm dy ndeshje larg një finale të madhe, njësoj si ne. Champions League është një shans i madh për të dyja skuadrat, dhe të gjithë do të japin 100 për qind”, ka thënë ai. 



Lexoni të gjitha në Bota Sot