Flick lartëson Interin

- Bota Sot

Flick lartëson Interin

Hansi Flick ndjek tripletën sezonale. Pas fitores në finale e “Copa del Rey” ndaj Real Madridit, skuadra e tij është gati të sfidojë Interin në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Trajneri gjerman doli në konferencë për shtyp, ku nënvizoi mes të tjerash:

Interi ka pësuar shumë pak gola, ndërsa ju më shumë se të gjithë në Champions. A do të jetë kjo, pikë kyçe e ndeshjes?

Ne mendojmë vetëm për ndeshjen e parë, është hapi i parë. Interi është një skuadër e fortë, mendoj se ka mbrojtjen më të mirë në Europë, por besoj se ka gjithashtu një nga mesfushat më të mira. Do të jetë një ndeshje e vështirë, duhet të jemi të gatshëm për gjithçka.

Si i keni parë lojtarët tuaj?

Janë mirë. Të fitosh një finale kundër Real Madridit është diçka shumë e veçantë dhe sigurisht prodhon emocione pozitive. Ne e dimë që kemi mundësinë të arrijmë në finalen e Ligës së Kampionëve, garës më të rëndësishme nga të gjitha. Për të gjithë është një ëndërr të qenurit këtu, duhet të qëndrojmë të përqendruar. Të martën u stërvitëm mirë, të gjithë janë të fokusuar te kundërshtari dhe çfarë duhet të bëjmë. Kuptohet, kemi bërë analizën përkatëse dhe specifikuar se çfarë duhet të mësojmë nga ndeshja e fundit. Duhet të tregojmë forcën tonë dhe si dimë të luajmë.

A do të keni ndryshime në formacion?

Do ta shohim para ndeshjes, nuk është momenti të flasim për këtë. Kemi një tjetër stërvitje ditën e ndeshjes, aty do të shohim si është skuadra. Interi ka luajtur të shtunën dhe ka pasur disa orë më pak pushim se ne, por është një gjysmëfinale e Ligës së Kampionëve dhe të gjithë duan të japin 100%. Kemi shumë lojtarë që duan ta luajnë këtë ndeshje, qoftë edhe vetëm për 45 minuta, dhe kjo është një gjë e mirë.



Lexoni të gjitha në Bota Sot