Sacchi: Barcelona - Interi një himn për futbollin

- Bota Sot

Sacchi: Barcelona - Interi një himn për futbollin

Ish-trajneri legjendar italian, Arrigo Sacchi, ka komentuar për “La Gazzetta dello Sport” sfidën spektakolare të Champions Lerague mes Interit dhe Barcelonës, duke e cilësuar si një “triumf të futbollit”.

“Një ndeshje e mrekullueshme, 45 minuta për duartrokitje. Interi befasoi me një nisje të furishme, duke shënuar dy gola në mënyrë të rrufeshme, por më pas Barcelona përfitoi nga një qëndrim disi më pasiv i zikaltërve dhe, e udhëhequr nga fenomeni Yamal, arriti të barazojë 2-2 në fund të pjesës së parë. Një pjesë e parë spektakolare”, u shpreh Sacchi.

Interi ndryshoi në pjesën e dytë

“Pas pushimit, Interi hyri në fushë me një qasje më agresive. Ishte më lartë, provoi të shtypte Barcelonën dhe gjeti golin e tretë me Dumfries. Në duelet ajrore, Interi ka qenë dhe mbetet shumë më e fortë se Barcelona – një armë që duhet shfrytëzuar në ndeshjen e kthimit”.

Prisje më shumë nga Barça?

“Sinqerisht, prisja më shumë nga Barcelona në pjesën e dytë. Gjatë sezonit më kanë lënë përshtypje shumë të mira. Këtë herë, Interi ia doli t’i mbyllte hapësirat dhe të sakrifikonte. Inzaghi meriton komplimente – e kuptoi si duhej të përballej me Barçën dhe provoi se mund të luajë si i barabartë”.

Rezultati i drejtë

“Barcelona pati më shumë topin dhe raste në pjesën e parë, por Interi kaloi përpara 2-0 dhe më pas 3-2. Madje shënoi edhe një gol të katërt që iu anulua për centimetra… Forcat në fushë ishin të barabarta, me dallimet që kanë në stil”.

Besim për kualifikimin

“Unë besoj se Interi mund ta kalojë këtë tur. Tani është jetike të rikuperohen energjitë fizike dhe mendore, sepse në ndeshje të tilla shpenzohen shumë. Do të ishte shumë e rëndësishme të riktheheshin lojtarë si Lautaro dhe Dimarco. Por, nga ajo që pamë, Interi ka gjithçka për ta vënë sërish në vështirësi Barcelonën në ndeshjen e kthimit në ‘San Siro’”.



Lexoni të gjitha në Bota Sot