Santiago Gimenez, sulmuesi meksikan i Milanit, që erdhi në janar nga Feyenoord, foli për “Sports Illustrated Mexico”, duke treguar sa shumë përkushtohet jashtë fushës së blertë: “Shpeshherë shkojmë në stërvitje dhe gjithçka e bëjmë automatikisht,
kjo nuk më pëlqen. Mua më pëlqen të shkoj në stërvitje i përqendruar dhe i vetëdijshëm për të punuar mbi gjërat që nuk kam bërë mirë.
Përdor shumë aplikacionin e shënimeve për analizat me video, për paraqitjen. Pas çdo ndeshjeje, shënoj çfarë kam bërë mirë, çfarë keq, i jap vetes një notë. Kam edhe një videoanalist. Unë luaj dhe të nesërmen ai nis analizën, përgatit një video dhe më përmbledh gjithë ndeshjen në 15 minuta. Aty dalin të gjitha veprimet e mia dhe ai thotë: Këtu ke bërë mirë, por duhej të kishe tentuar me të djathtën…
Kam ndjekur një kurs për të lexuar statistikat dhe i organizoj sipas rezultateve. Mund t’i konsultoj si kam luajtur në çdo ndeshje dhe çdo tre muaj bëj një analizë të përgjithshme për duelet e fituara, të humbura, driblimet, gjuajtjet. Ashtu shoh nëse statistikat janë në rënie apo në rritje.
Në ato që janë në rënie, përpiqem të përmirësohem. Kur grafiku bie, është e rrezikshme. Kur diçka është në rënie, e di që duhet të fokusohem aty. Qëndroj pas stërvitjes për të punuar mbi goditjet në portë”.
Më pas meksikani foli edhe për marrëdhënien me Zlatan Ibrahimovic: “Më pëlqen shumë personaliteti i tij, siguria që ka kur flet për veten dhe atë që do të ndodhë. Ai nuk ka frikë nga ajo që thonë të tjerët, thotë vetëm atë që ndjen dhe, më e rëndësishmja, atë që thotë, e bën”.