Befasia e sezonit, Ferizaj kërkon daljen historike në garat evropiane

- Bota Sot

Befasia e sezonit, Ferizaj kërkon daljen historike në garat evropiane

Ndeshja ndërmjet Ferizajt dhe Suharekës, që zhvillohet të dielën nga ora 15:00, pritet të jetë një përballje me shumë rëndësi për të dyja skuadrat në kuadër të Superligës së Kosovës në futboll, raporton KosovaPress.

Ferizaj, megjithëse nuk e kishte objektiv daljen në garat evropiane, tashmë gjendet pranë zonës që çon në Evropë falë formës së mirë të ekipit dhe dështimeve të skuadrave rivale.

Në anën tjetër, Suhareka ndodhet në një situatë të vështirë dhe po lufton fort për të shmangur rënien nga elita e futbollit kosovar. Ky duel është i rëndësishëm jo vetëm për pikët, por edhe për moralin e skuadrave në këtë fazë vendimtare të kampionatit.

Trajneri i Ferizaj, Arsim Abazi thotë për KosovaPress se skuadra nuk e kishte nisur sezonin me pritje kaq të mëdha, por situata ndryshoi gjatë rrugës duke iu falënderuar formës fantastike që po tregojnë lojtarët në fushë.

Abazi: Nuk e kemi objektiv daljen në Evropë

“Nuk kemi pasur objektiva për dalje në Evropë ose diçka më tepër, objektivat e klubit kanë qenë që të jemi në klub stabil, të jemi në mesin e tabelës, të arrijmë këtë vit që ta sigurojmë ekzistencën në Superligë. Por, me formën e lojtarëve që i kemi që jemi duke kaluar, me ndeshjen që po i marrim një nga një kemi arritur rezultate mjaftë të mira dhe jemi ofruar aty ku edhe pak na mungon për ta arritur treshen që del në Evropë, por prapë se prapë ne nuk e kemi me çdo kusht objektivin për dalje në Evropë”, ka thënë Abazi.

Luftën direkte për dalje në Evropë Ferizaj do ta ketë me Malishevën. Diferenca momentale në mes të këtyre dy skuadrave në tabelë është vetëm dy pikë në të mirë të Malishevës.

Abazi: Dështimet e Malishevës na e mundësuan t’i ofrohemi Evropës

“Rezultatet e mira na kanë ofruar afër Malishevës, ndërsa Malisheva në disa ndeshjet e fundit ka dështuar në rezultate dhe na ka mundësuar edhe ne që të ofrohemi sa më afër tyre. Tani diferenca është shumë e vogël, është vetëm dy pikë por janë edhe pesë ndeshje dhe qëllimi ynë është që ta sigurojmë ekzistencën e për më vonë të shohim se çfarë do të ndodhë. Çdo gjë që vie më tepër është sukses”, theksoi Abazi.

Për ta arritur objektivin historik, daljen në Evropë, Ferizaj duhet që së pari ta kalojë pengesën e radhës, tejet të vështirë, Suharekën e cila po lufton për mbijetesë.

Abazi: Ne duam që ta mposhtim edhe Suharekën

“Suhareka nuk është skuadër që duhet të jetë aty ku është në bazë të kualitetit të lojtarëve që e ka në skuadër unë mendoj që nuk e meriton të jetë në atë vend ku është tani...Për mua është një ndër skuadrat me lojtarët më të mirë që ka Superliga. Do të jetë ndeshje e vështirë edhe ajo por ne do të mundohemi që të marrim rezultate pozitive edhe atje”, shtoi më tutje Abazi.

Ndërsa, njëri nga lojtarët më me përvojë te Ferizaj, Betim Haxhimusa, thekson se skuadra po i merr ndeshjet një nga një në këtë fazë vendimtare të sezonit, por forma aktuale ka bërë që të rriten apetitet për të kërkuar diçka më shumë se sa vetëm mbetja në elitën e futbollit kosovar.

Haxhimusa: Kemi ekip cilësor, andaj duam fitore edhe ndaj Suharekës

“Gjatë rrugës janë rritur apetitet duke e parë formën tonë nëpër të cilën po kalojmë ashtu sikur vendas që një nga një jemi duke i marrë ndeshjet dhe po i fitojmë të gjitha ndeshjet brenda dhe tani ka arritur objektivi për në Evropë por njëherë për njëherë është objektivi që t’i ikim sa më larg barazhit dhe ta sigurojmë Superligën edhe për vitin e ardhshëm...Unë mendoj që Suhareka ka ekip të mirë dhe cilësor, mendoj që atje të shkojmë për tri pikë por ka ekip cilësor dhe ne do të shkojmë të luftojmë sikur në çdo ndeshje që jemi duke zhvilluar ndeshje të mira. Mendoj që do t’ia dalim ta arrijmë objektivin tonë edhe ndaj Suharekës”, ka thënë Haxhimusa.

Ballafaqimi ndërmjet Suharekës dhe Ferizaj zhvillohet të dielën me fillim nga ora 15:00. Derisa Ferizaj po e kërkon daljen në Evropë, Suhareka po lufton për ta shmangur rënien në Ligën e Parë të futbollit kosovar



Lexoni të gjitha në Bota Sot