Milani fiton me përmbysje të rezultatit ndaj Genoas

- Bota Sot

Milani fiton me përmbysje të rezultatit ndaj Genoas

Milani ka shënuar fitore me rezultat 2-1 në udhëtim ndaj Genoas në kuadër të javës së 35-të në elitën e futbollit italian. 

Të parët që rrezikuan në këtë ndeshje ishin vendasit, të cilët patën një rast ideal shënimi në minutën e tetë përmes Brooke Norton-Cuffy, por goditja e tij u prit nga Maignan. 

Genoa pati një tjetër mundësi të mirë për të kaluar në epërsi, por edhe goditjen e Junior Messias (23’) e priti Maignan. 

Reagimi i Milanit erdhi në fundin e pjesës së parë, duke rrezikuar në dy raste të ndryshme me Theo Hernandez dhe Christian Pulisic, por pa sukses. 

Në minutën e 61-të Genoa kaloi në epërsi prej 1-0 falë Vitinhas i cili realizoi pas asistimit të Aaron Martin. 

Ky gol i pësuar ngriti një kambanë alarmi tek ‘Rossonerët’ dhe ata shumë shpejt ia dolën të rikthejnë rezultatin në favorin e tyre. 

Për të barazuar shifrat në 1-1 u përkujdes Rafael Leao i cili shënoi në minutën e 76-të pas asistimit nga Santiago Gimenez. 

Menjëherë në aksionin vijues mysafirët gjetën edhe golin e dytë, ku kësaj radhe Morten Frendrup (77’) i vendasve ishte i pafat duke dërguar topin në rrjetën e portës së tij për 2-1. 

Pas kësaj fitore Milani shkon në kuotën e 57 pikëve të grumbulluara dhe mban vendin e nëntë në tabelë.



Lexoni të gjitha në Bota Sot