Llapi synon t’i ikën pozitës së barazhit sot, Ferizaj e ka mundësinë të futet në zonën evropiane

- Bota Sot

Llapi synon t’i ikën pozitës së barazhit sot, Ferizaj e ka mundësinë të futet në zonën evropiane

Superliga e futbollit do të vazhdojë sot me dy ndeshjet e fundit të xhiros së 33-të.

Pa dyshim, dueli kryesor i ditës do të jetë ai mes Llapit dhe Ferizajt.

Për të dy ekipet kjo është një ndeshje jetësore.

Duke e pasur parasysh barazimin e djeshëm të Dukagjinit me Prishtinën, trupa e Tahir Batatinës e ka një mundësi të artë që me fitore në shtëpi sot t’i ikën zonës së barazhit, pozitë të cilën e mbulon për momentin, por edhe të shkëputet larg Suharekës, e cila me fitoren e djeshme ndaj Feronikelit 74 është afruar në katër pikë dhe gjendet në vendin e nëntë, i cili shpie në Ligën e Parë.

Llapjanët janë të vetëdijshëm për këtë dhe në mendjen e tyre janë veç tri pikët ndaj ferizajasve.

E këta të fundit kanë objektiva të tjerë, dhe, edhe për ta kjo është një lojë “jetë e vdekje”.

Marrë parasysh barazimin e Malishevës me Gjilanin, ferizajasit e kanë një rast jetik që me një fitore eventuale në stadiumin “Zahir Pajaziti”, ta kapin pozitën e tretë, e cila çon në Evropë.

Natyrisht, barazimi nuk do ta favorizonte asnjërin ekip.

Ndërkohë, sot do të luhet edhe ndeshja mes Ballkanit dhe Dritës, rëndësia e së cilës është zbehur pasi gjilanasit u shpallën edhe matematikisht kampionë.

Skuadrat do të luajnë vetëm sa për prestigj pasi Drita e ka siguruar titullin e Ballkani e ka “blinduar” pozitën e dytë.

Dy ndeshjet e sotme të Superligës do të nisin prej orës 15:00.



Lexoni të gjitha në Bota Sot