Rotacione dhe mos dorëzim për titullin në Serie A

- Bota Sot

Rotacione dhe mos dorëzim për titullin në Serie A

A mjaftojnë 24 orë për të kapërcyer entuziazmin e kualifikimit në finalen e Champions League?

Pikërisht për këtë foli dje Simone Inzaghi me skuadrën e tij, e cila u rikthye në stërvitje pas pushimit standard 24-orësh, që pasoi fitoren e jashtëzakonshme kundër Barcelonës.

Interi u paraqit në “Appiano Gentile” ende nën efektin e adrenalinës së gjysmëfinales së kthimit, por trajneri zikaltër e riktheu menjëherë grupin me këmbë në tokë. Ka kohë për të menduar për 31 majin, edhe pse është e qartë se çdo vendim gjatë këtyre më shumë se tri javëve do të ketë gjithashtu në sfond finalen e Mynihut.

Nga njëra anë kemi aspektin psikologjik. Inzaghi e bëri të qartë në dhomat e zhveshjes se nuk dëshiron të heqë dorë nga gara për titullin. Për sa kohë që matematika nuk i jep të drejtë Napolit, objektivi duhet të jetë mbajtja gjallë e kampionatit.

Jo vetëm sepse, siç e tha vetë trajneri në konferencën pas ndeshjes me Barçën, kjo skuadër nuk ka zgjedhur kurrë mes një gare apo një tjetre, por edhe sepse “ta fikësh plotësisht trurin” deri më 31 maj është shumë, shumë e rrezikshme. Më mirë ta mbash gjithmonë “prizën” takuar deri në ndeshjen e fundit.

Pastaj është çështja fizike. Interi, tashmë i sfilitur nga një sezon i lodhshëm, doli krejtësisht i shteruar fizikisht pas 120 minutave të ndeshjes së të martës. Situatat më delikate janë ato të Lautaro Martinez, i rikuperuar në momentet e fundit pikërisht për Barcelonën, por që vetë ka pranuar se i duhet ende kohë për të rifituar formën dhe energjinë; të Benjamin Pavard, që ka ende probleme me kyçin e këmbës; dhe të Davide Frattesi, heroi i “San Siro”, i cili kishte një shqetësim në bark pak para ndeshjes.

Thuram, Mkhitaryan dhe Bastoni janë në rregull nga pikëpamja mjekësore, por duhen menaxhuar me kujdes për ruajtjen e energjive (i njëjti diskutim vlen edhe për anësorët dhe Acerbin). Më të përgatiturit për momentin duken të jenë Calhanoglu, Barella dhe Carlos Augusto, të cilët, sipas “Gazzetta dello Sport”, do të ishin gati të luanin që sot kundër PSG-së.



Lexoni të gjitha në Bota Sot