Do titullin me Vllazninë

- Bota Sot

Do titullin me Vllazninë

Kur erdhi në Shkodër për herë të parë në verën e vitit 2020, njihej vetëm si një ishfutbollist i Leverkusenit të famshëm të fillim viteve 2000 dhe po ashtu si një ish-futbollist i kombëtares gjermane.

Pak dihej për karrierën e tij si trajner, ku më së shumti kishte drejtuar në nivelet e ulëta të futbollit në Gjermani. E shpesh edhe si analist në studiot e njohura sportive, duke komentuar Bundesliga-n apo edhe kampionatet e tjera të mëdha në Europë. Fjala është për Thomas Brdariç, trajnerin aktual të Vllaznisë që për herë të dytë në karrierën e tij drejton kuqeblutë.

Për t’u rikthyer edhe një herë te vera e vitit 2020, Vllaznia vinte nga një ndeshje “play out” kundër Besëlidhjes për të siguruar qëndrimin mes më të mirëve pas fitores 3-1 ndaj lezhjanëve.

Te shkodranët kishte pak optimizëm, me skuadrën që për më shumë se 10 sezone notonte në ujërat e mbijetesës. Madje, duke u rrëzuar edhe nga elita në edicionin 2017-18. Atë verë te shkodranët erdhi një “zot” shtëpie, Alban Xhaferri, i cili u zotua se do të rikthente Vllazninë aty ku i takonte.

Presidenti i ri zgjodhi edhe trajnerin (Thomas Brdariç) dhe drejtorin teknik të ri (Matko Djarmati), duke u lënë atyre dorë të lirë të ndërtonin një ekip që do t’u rikthente buzëqeshjen shkodranëve. Emrat e afruar në merkato nuk janë më të mirët e mundshëm, madje janë disa futbollistë mesatarë në Superiore apo edhe “anonimë” që vinin nga kampionate jashtë vendit.

Skepticizmi në qytet dhe në përgjithësi për këtë ekip ishte shumë i madh. Me shumicën që thoshin se kjo Vllazni do të luftonte sërish për mbijetesën, por nuk do të ishte aspak ashtu. Vllaznia me Thomas Brdariç në stol jo vetëm fitonte ndeshje pas ndeshjeje, por dhuronte spektakël në çdo stadium ku luante. Me tifozët anembanë vendit që duartrokisnin në çdo javë për performancat e kuqebluve. E me Vllazninë që jo vetëm nuk e diskuton mbijetesën, por është në krye të kampionatit.

Me shkodranët që në janar janë të shkëputur 11 pikë nga vendi i dytë dhe po mendohej titulli kampion.

Megjithatë, historia dihet dhe është Teuta që shpallet kampione e sezonit 2020-21, me durrsakët që vetëm falë golavarazhit triumfojnë ndaj kuqebluve, pasi në fund të dy ekipet do ta mbyllnin në kuotën e 66 pikëve pas 36 javësh.

Një “peng” që u ngeli të gjithëve në Shkodër, me shumëkënd që i konsideronin kuqeblutë si fituesit moralë të atij ediconi. Një “trofe” që nuk vlen, pasi ajo që ka vlerë, është ajo çfarë vendos në kabinetin e trofeve në fund të edicionit.

E tashmë Thomas Brdariç është rikthyer për periudhën e tij të dytë te Vllaznia, për të mbyllur me sukses “misionin” që nisi në verën e vitit 2020, ku mori një “pacient” që po “dergjej” dhe e bëri të vraponte pas trofeve dhe sukseseve, madje duke rikthyer edhe një trofe në Shkodër siç ishte Kupa e Shqipërisë, që mungonte prej 13 vitesh në qytet.

E tashmë është momenti për të realizuar “misionin” final, atë të fitimit të titullit kampion, që duket se “mundon” jo vetëm shkodranët, por edhe vetë Brdariç që gjithmonë thekson: “E rëndësishme është të ëndërrojmë dhe këto ëndrra të mundohemi t’i realizojmë”.



Lexoni të gjitha në Bota Sot