Flick: Nuk bazohemi te +4 pikët ndaj Real Madridit

- Bota Sot

Flick: Nuk bazohemi te +4 pikët ndaj Real Madridit

Nesër do të luhet “El Clasico” e fundit e këtij sezoni, mes Barcelonës dhe Real Madridit.

Gara e titullit të La Liga-s mes dy gjigantëve spanjollë mbetet ende e hapur, me 4 pikë distancë në favor të katalanasve.

Pra, një fitore e “Los Blancos” nesër, do ta hapte gjithçka për tri sfidat në vijim. Konferenca për shtyp e Hansi Flick është ndalur në këtë përballje, e cila ngërthen interesin e mbarë botës, jo vetëm të iberikëve.

E ardhmja e Szczesny: “Çështjet e kontratave janë punë e Decos. Unë jam i kënaqur me të, ka personalitet të madh, është i qetë, i balancuar…

Kjo është pozitive. Mendoj se ai dëshiron të qëndrojë këtu. Lewandowski ka edhe një vit kontratë, do të shohim çfarë mund të ndodhë. Szczesny ndonjëherë pi pak duhan, është më i qetë se Lewandowski. Ai është në moshën e duhur, më i relaksuar”.

Lidershipi i Iñigo Martínez: “Ka një stil të ndryshëm, nuk është lojtari tipik. I pëlqen të luajë me më shumë thellësi dhe është përshtatur.

Është e pabesueshme si ia ka dalë. Që në fazën përgatitore e pamë që është një lider, i përqendruar për të fituar, gjithmonë mendon pozitivisht dhe e ndan pozitivitetin me të tjerët. Është një luftëtar, një lider, jam shumë i kënaqur me të.

Ndoshta është një nga sezonet e tij më të mira. Ka 33 vite mbi supe, ndaj nuk është e lehtë”.

Mbrojtja në bllok të lartë: “Filozofinë e kisha të qartë, edhe pse kishte disa dyshime, sepse është një stil ndryshe. Sidoqoftë ka të bëjë me të gjithë ekipin, jo vetëm me vijën mbrojtëse. Duhet të ushtrosh presion aty ku është topi, të rikuperosh posedimin. E kemi bërë shumë mirë.

Ka pasur ndeshje, në fillim të sezonit, kur kishte dyshime te lojtarët, por e rregulluam. Janë përmirësuar dhe mendoj se janë të kënaqur me stilin dhe me mënyrën si duam të luajmë. Kur sheh se si stërviten dhe nivelin e tyre, jemi të kënaqur. Jemi të lumtur për përqendrimin e tyre, për punën e palodhur. Tani po shohim rezultatet, shpresojmë për një tjetër trofe”.

Real Madridi: “Duhet të jemi të përgatitur për dy fytyrat e tij. Real Madridi mund të bëjë presion një kundër një dhe është shumë i mirë në tranzicion. Ka një stil mbrojtës të jashtëzakonshëm, që ndoshta do ta shohim nesër”.

“El Clásico”: “Janë dy skuadra të mëdha që përballen dhe shpresojmë të kemi avantazhin që luajmë në shtëpi. Do të jetë ndryshe nga ndeshja në Madrid, por shpresoj që të dalim me tri pikët. Kur luhen këto lloj ndeshjesh, të gjithë duan të fitojnë. Edhe Real Madridi. Mua nuk më shqetëson renditja, ajo që më shqetëson është fitorja. Jemi të përqendruar vetëm në këtë ndeshje dhe asgjë tjetër”.

Mbrojtësit e krahut, Eric García dhe Gerard Martín: “Nuk më kanë befasuar. Të dy janë shumë profesionistë dhe janë përmirësuar shumë që nga fillimi. Më pëlqeu mënyra si luajti Gerard në gjysmëfinalet e Champions-it.

Na mungonte Balde, por është e mrekullueshme që e kemi rikuperuar. Tek Eric më pëlqen mentaliteti i tij, profesionalizmi. I them të luajë si mbrojtës i djathtë, qendërmbrojtës, mesfushor mbrojtës…, nuk e ka problem. Madje mund të shënojë edhe gola”.

Golat e pësuar: “Kemi edhe 4 ndeshje dhe jemi të përqendruar. ‘El Clásico’ është e para dhe më e rëndësishmja për të gjithë: për lojtarët, për mua, për skuadrën time. Puna që bëjnë është e mrekullueshme dhe duam të fitojmë”.

4 pikë diferencë: “Nuk do të hyjmë në fushë duke menduar se ka hapësirë gabimi. ‘El Clásico’ është një ndeshje që lojtarët duan ta fitojnë. Pra, do të hyjmë në fushë për të fituar pa menduar për klasifikimin. Jemi të përqendruar për të dhënë gjithçka, për të luajtur mirë dhe marrë tri pikët”.

Gara në La Liga: “Është titulli më i ndershëm, duhet të luash 38 ndeshje. Nëse arrin në fund dhe je i pari, është titulli më i drejtë”.

Szczesny: “E ruaj idenë që të jetë titullar ndaj Real Madridit”.

Puna psikologjike: “Kemi folur për atë që mendojnë lojtarët, ndjesitë e tyre, duhet të flitet në grup. Të gjithë e dinë që në një ‘El Clásico’ duhet të japësh 100%. Duhet të jesh aktiv, intensiv, dominues… Real Madridi është një skuadër shumë e mirë, ndaj kemi nevojë edhe për mbështetjen e tifozëve”.

Lewandowski dhe Balde: “Të luajnë nga fillimi, nuk e besoj. Gerard dhe pjesa tjetër e lojtarëve po bëjnë shumë mirë, por duhet të jemi të kujdesshëm. Mbeten edhe tri ndeshje të tjera. Ndoshta do të kenë minuta në pjesën e dytë. Balde është mirë”.

Si e pret këtë ndeshje: “Pas humbjes në Milano, të gjithë e dinë që nuk është e lehtë, por po i bëjmë gjërat mirë.

Kemi folur për atë që duam të arrijmë në këto dy javë. Janë 4 ndeshje. ‘El Clásico’ është e rëndësishme, duhet të tregojmë sa mirë dimë të luajmë. Duhet të tregojmë besim. Lojtarët janë shumë mirë”.



Lexoni të gjitha në Bota Sot