Milani kthehet përsëri këtë fundjavë në Romë, ku pak ditë më parë përjetoi një zhgënjim të madh në Kupën e Italisë në finalen ndaj Bolonjës.
Këtë radhë luan në kampionat përballë Romës, ku i duhet vetëm fitore për të mbajtur gjallë shpresën për një vend në Europë.
Por kuqezinjtë do të përballen me verdhekuqtë me një element të rëndësishëm që do të mungojë.
Sipas “Sky Sport”, Teo Hernandez do të mungojë në këtë ndeshje, pasi ka pësuar një goditje të fortë në kofshë e kësisoj, nuk mund të jetë në dispozicion të Konseisaos për sfidën.
Kjo është një mungesë e rëndësishme për skuadrën e cila duhet të mposhtë me çdo kusht verdhekuqtë për të synuar të paktën praninë në Ligën e Konferencës në edicionin e ardhshëm, pasi vetëm një mrekulli në kombinim rezultatesh me skuadrat e tjera do e çonte Milanin në Ligën e Europës.