Përjashtimi i Manajt nga skuadra

- Bota Sot

Përjashtimi i Manajt nga skuadra

Një nga lajmet më të bujshëm të ditës së djeshme ishte lënia jashtë nga skuadra e Rei Manajt te klubi I Sivaspor për ndeshjen delikate ndaj Samsunspor, që mund të rezultojë vendimtare për fatin e sezonit në luftën për mbijetesë.

Mediat turke raportuan se vendimi kishte ardhur nga bordi i drejtuesve të klubit, të pakënaqur me paraqitjet e fundit të lojtarit, i cili kishte marrë kritika edhe nga trajneri për shkak të inaktivitetit të tij në fushë.

Një vendim i rëndë që praktikisht i mbyll dyert për të ardhmen vazhdimësisë së Manajt në klubin turk ku ka pasur jo pak herë përplasje.

Por sot, klubi i Sivaspor, ka theksuar në një publikim në faqen e vet të internetit, se mungesa e Manajt kishte lidhje me probleme shëndetësore.

“Riey Manaj, i cili ka vuajtur nga dhimbje në ijë prej kohësh, si dhe Gjorgje Nikoliç, Jan Bieganski dhe Noah Sonko Sundberg, të cilët janë ende të lënduar, dhe Tolga Cigerçi, i cili është i pezulluar me kartonë të verdhë, nuk janë përfshirë në ekip”, shkruhej në njoftimin e ekipit.

Një deklaratë e papritur e cila ngjan më shumë me një justifikim, pasi në javët e mëparshme nuk është diskutuar asnjëherë situata e këtij dëmtimi misterioz të Manajt, i cili ka mbajtur barrën kryesore në sulmin e Sivaspor në këto dy sezone.



Lexoni të gjitha në Bota Sot