Burim Hatipi – Artitekt i Mesfushës së KF “Prishtina” dhe Zëri i Sportit në “Rilindja”

- Bota Sot

Burim Hatipi – Artitekt i Mesfushës së KF “Prishtina” dhe Zëri i Sportit në “Rilindja”

Në historinë e futbollit kosovar, pas emrave të mëdhenj si Fadil Vokrri, Favzi Rama, Faton Domi, Veli Vraniqi, Sami Ahmeti, Sokol Hadri, Shaban Zeqiri dhe Shefqet Sinani, për një kohë të gjatë do të kujtohet edhe Burim Hatipi, mesfushor legjendar i KF “Prishtina”.

Hatipi e nisi karrierën me fanellën e KF. “Prishtinës” në vitin 1964 dhe e përfundoi në vitin 1995 si kryetrajner i skuadrës, pikërisht në vitin kur edhe u nda nga jeta. Për tri dekada ai ishte i pranishëm në çdo betejë të klubit: si lojtar, si lider në fushë dhe si zë udhëheqës nga stoli.

Hatipin e kujtoj edhe vetë, si një nga ata që vite me radhë e kam ndjekur nga afër KF “Prishtina”. Ai ishte çdoherë i veçantë me stilin e tij të qetë dhe dominues. Burim Hatipi, përpara mijëra tifozëve shqiptarë, prezantonte lojë mjeshtërore, përkushtim e dinjitet.

Në fushën e gjelbër, Hatipi veçohej për kontrollin e jashtëzakonshëm të topit, goditjet e forta e precize, dhe për një qasje të qartë e vizionare në ndërtimin e lojës. Shikuesve të shumtë të KF “Prishtina”, asokohe anëtare e Ligës së Dytë Federative të ish-Jugosllavisë (Grupi i Lindjes), u kujtohen ende golat e bukur që ai i realizonte me elegancë dhe mjeshtëri.

Në kujtesën e tifozëve është ngulitur veçanërisht një gol spektakolar, i shënuar në një ndeshje kundër Kumanovës, në stadiumin e Prishtinës, kur Hatipi goditi aq saktë dhe me fuqi, sa topi mbeti i ngjitur në këndin e majtë të portierit mysafir.

Në periudhën kur Burim Hatipi drejtonte mesfushën, KF “Prishtina” përfaqësohej nga një brez i artë lojtarësh shqiptarë, si: Avni Zhubi, Zenun Brovina, Luan Prekazi, Sokol Hadri, Erdogan Celina, Sami Ahmeti dhe Shaban Zeqiri.

Por, duhet theksuar se skuadra në atë kohë udhëhiqej nga struktura kryesisht serbo-malazeze, gjë që ndikonte dukshëm në përbërjen etnike të ekipit. Prania e lojtarëve serbë e malazezë ishte shumë më e theksuar, çka e bënte edhe më të çmuar vendin që siguronin futbollistët shqiptarë si Burim Hatipi.

Porta e Prishtinës në vitet ’70 ruhej nga Tode Todorovski, i ardhur nga Pobeda e Prilepit, ndërsa në mbrojtje qëndronin Stevanoviq, Radosheviq dhe Trifunoviq. Në repartin e sulmit aktivizoheshin emra si Cvetkoviq, Donçiq, Shuica dhe Kostiq, ndërsa herë pas here edhe Mlladenoviq e Karapangjiq.

Në këtë sfond të vështirë për afirmim, përfshirja e futbollistëve shqiptarë nuk ishte vetëm sukses sportiv, por edhe një akt qëndrese në emër të dinjitetit kombëtar.

Nuk duhet harruar se në radhët e KF “Prishtina” luajti edhe vëllai i Burimit, Blerim Hatipi, i ardhur nga skuadra lokale KF “Flamurtari”. Më vonë, Blerimi do ta vazhdonte karrierën në KEK-un e Kastriotit (ish-Obiliq), duke ruajtur emrin Hatipi në fushat e futbollit edhe përtej Prishtinës.

Burim Hatipi vinte nga një familje intelektuale me origjinë nga Elbasani. Babai i tij, Tajar Hatipi, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, u emërua mësues në Kosovë, ku dha një kontribut të çmuar në arsim dhe më vonë u bë i njohur si shkrimtar për fëmijë dhe redaktor shumëvjeçar në gazetën “Rilindja”.

Burimi Hatipi, i rritur dhe i formuar në Prishtinë, trashëgoi nga i ati dashurinë për dijen, gjuhën dhe sportin. Familja Hatipi, kësisoj, përfaqëson një rrënjë të thellë në sportin, kulturën dhe gazetarinë kosovare, duke u bërë model frymëzimi për brezat e rinj.

Pas përfundimit të karrierës si futbollist, Burim Hatipi, iu përkushtua gazetarisë sportive në të përditshmen “Rilindja”, ku e vazhdoi me përkushtim të njëjtë pasionin për sportin, tashmë përmes fjalës së shkruar. Ai ishte kronist i besueshëm i arenave sportive, duke e ruajtur përherë lidhjen me futbollin si njeri i terrenit, jo vetëm i tryezës.

Burim Hatipi do të mbetet një emër që nuk shuhet kurrë. Ai, me prirje të theksuara për futbollin dhe kulturën, la gjurmë të pashlyera si në fushën e lojës, ashtu edhe në gazetari, duke mishëruar figurën e rrallë të sportistit që di të shkëlqejë edhe përtej kufijve të fushës.



Lexoni të gjitha në Bota Sot