Leao: Milan, tani jam bërë burrë!

- Bota Sot

Leao: Milan, tani jam bërë burrë!

Nga djalosh i ri që mbërriti në Milano me ëndrra në valixhe, në një burrë të formuar që mbart mbi supe shpresat e një klubi të madh si Milani.

Ky është rrugëtimi i Rafael Leaos, sulmuesit portugez që rrëfehet pa filtra për “Icon Magazine”, duke hapur zemrën për karrierën, jetën, sfidat dhe dashuritë jashtë fushe. Një Leao 360 gradë, që shfaqet më i pjekur, më i vendosur dhe gjithmonë me një këngë në sfond. Kur mbërriti te Milani në moshën 20-vjeçare, Leao e ndiente veten si një djalosh në mesin e një bote të madhe. Por sot, vite më pas, ai është bërë një lider në fushë dhe një emër i dashur për tifozët kuqezi.

“Klubi, shokët e skuadrës, stafi, të gjithë më kanë ndihmuar të rritem. Jam bërë burrë falë tyre”, thotë ai.

EPISODI- Episodi që i ka mbetur më thellë në zemër? Pa dyshim, ndeshja ndaj Sasuolos në maj 2022, që i dha Milanit titullin kampion pas shumë vitesh. “Ishte një moment i paharrueshëm, që do ta mbaj gjithmonë me vete”, kujton ai me një buzëqeshje të ndrojtur, por krenare.

KRITIKAT- Pavarësisht se shpesh është në qendër të vëmendjes, LeAo rrëfen se kritikat nuk e tronditin. “Nuk i lexoj zakonisht, por nëse të kritikojnë, do të thotë se je i mirë dhe presin shumë prej teje. Nuk ndiej presion, sepse e dua futbollin. Është gjëja më e bukur për mua”.

DRIBLIMET- Simboli i qetësisë së tij në fushë është driblimi, arma e tij më e fortë. “Kur jam në fushë, harroj gjithçka tjetër. Është vendi im i lumturisë”, thotë me një sinqeritet që e bën të dashur edhe për skeptikët.

MUZIKA– Përtej fushës, Leao është një artist i shpirtit. Muzika për të nuk është thjesht një hobi, por pjesë e identitetit të tij. Ka publikuar këngë, ka hyrë në botën e rap-it, edhe pse jo gjithmonë me mbështetjen e të gjithëve, përfshirë edhe një figurë të rëndësishme si Zlatan Ibrahimoviç.

“Ibra nuk ishte i kënaqur në fillim me karrierën time muzikore, por më kuptoi. Ai kërkon përqendrim maksimal, por kuptoi se unë jam i përgjegjshëm dhe se muzika nuk më largon nga detyrat si futbollist”.

STILI I JETËS- Ndryshe nga imazhi që ndonjëherë përcillet për futbollistët, Leao jeton një jetë të qetë. Kohën e lirë e kalon me familjen, shpesh në shtëpi, duke pushuar. “Fle shumë dhe kaloj kohë me njerëzit që dua më shumë. Kur jam i trishtuar, mjafton të hyj në shtëpi dhe të shoh fëmijët. Më japin forcë, më motivojnë. Janë dy fëmijë të mrekullueshëm dhe shpresoj t’u jap një të ardhme të shkëlqyer”.

E ARDHMJA– “Leao nuk është më ai djaloshi që erdhi nga Franca me flokë të gjatë dhe ëndrra të mëdha. Ai është tashmë një burrë, një baba, një artist, dhe mbi të gjitha, një kampion që nuk ndalet së ëndërruari”, tha Leao në intervistën e tij.



Lexoni të gjitha në Bota Sot