Agostinelli, mision i përmbushur

- Bota Sot

Agostinelli, mision i përmbushur

Andrea Agostinelli, ish-trajneri i Flamurtarit, është shprehur në një intervistë se rikthimi i vlonjatëve në Superiore ishte vepër e tij, edhe pse u shkarkua katër javë para përfundimit. Italiani e drejtoi skuadrën në 29 ndeshje, ku mori 68 pikë, ndaj e quan misionin si të mbyllur me sukses.

Andrea Agostinelli, ish-trajneri i Flamurtarit, ka deklaruar se ai e ka përmbushur misionin që iu ngarkua në fillim të sezonit, për ngjitjen e skuadrës vlonjate në Abissnet Superiore. Italiani u shkarkua pas humbjes me Pogradecin në Vlorë, edhe pse skuadra e tij ishte brenda objektivit katër javë para përfundimit.

Megjithatë, në një intervistë për shtypin shqiptar ai thotë se ka festuar për ngjitjen e Flamurtarit pas pesë vitesh në Superiore, edhe për fakt se ai sukses ishte kryesisht i tiji.

Numrat i japin të drejtë italianit, që u zëvendësua nga Artim Pollozhani në katër ndeshjet e fundit. Pollozhani arriti dy fitore, një barazim e një humbje, duke arritur ngjitjen e vlonjatëve në Abissnet Superiore, me 75 pikë, një më pak se Vora e vendit të parë, e një më tepër se Besa në vendin e tretë. Nga 75 pikë gjithsej, 68 i përkasin periudhës nën drejtimin e italianit, që u ul në stol për 29 ndeshje.

Nën drejtimin e tij, kuqezinjtë arritën 21 fitore, pesë barazime e tri humbje, nga të cilat ajo me Pogradecin rezultoi fatale për trajnerin, por jo për skuadrën, që në atë kohë kishte gjashtë pikë më tepër se vendi i tretë, që mbahej nga Besa.

Për këtë arsye, Agostinelli është shprehur se e përmbushi misionin për ngjitjen e Flamurtarit pas pesë viteve mungesë në Superiore, ndërkohë që italiani, aktualisht pranë familjes në Romë, mbetet i hapur për rikthimi në Shqipëri, ku më parë ka drejtuar edhe Partizanin e Skënderbeun.



Lexoni të gjitha në Bota Sot