Në dhjetor të vitit 2023, Aleksandri nga qyteti siberian Ulan-Ude, ashtu si dhjetëra mijëra djem 18-vjeçarë në të gjithë Rusinë, u thirr për shërbim të detyrueshëm ushtarak në ushtrinë ruse.
Katër muaj më vonë, rreth 7.000 kilometra më larg, në perëndim, ai e gjeti veten duke hapur llogore përgjatë kufirit të Rusisë me Ukrainën. Jo shumë kohë pas kësaj, u detyrua të fshihej në po ato llogore, përballë trupave ukrainase dhe sulmeve me dronë kamikazë.
“Rezulton se më dërguan në zonë lufte kundër ligjit, pa më pyetur fare”, tha ai në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, muajin e kaluar.
Rasti i Aleksandrit - i cili kërkoi që mbiemri i tij të mos publikohej për të shmangur ndjekjen penale nga policia - nxjerr në pah një temë jashtëzakonisht të ndjeshme në politikën ruse, të cilën presidenti Vladimir Putin e ka shmangur me këmbëngulje që prej nisjes së pushtimit të Ukrainës në shkurt të vitit 2022:
Dërgimin e të rekrutuarve në vijën e frontit.
Me pushtimin që po hyn në muajin e 40-të, trupat ruse po përballen me humbje të rënda: mbi 750.000 të vrarë dhe të plagosur, sipas vlerësimeve perëndimore — dhe numri vazhdon të rritet me intensifikimin e luftimeve pranverore.
Megjithatë, Rusia e ka ruajtur intensitetin e operacioneve përmes një sistemi kompleks rekrutimi që përfshin rezervistë të mobilizuar, vullnetarë, mercenarë privatë, të burgosur dhe njësi të rregullta. Rrogat dhe përfitimet e larta për shërbimin në luftë kanë sjellë një fluks të qëndrueshëm burrash drejt frontit.
Por, ligji rus ndalon dërgimin e rekrutëve – kryesisht të rinj rreth moshës 18 vjeç – në zona lufte. Kjo nënkupton, para së gjithash, Ukrainën.
Putini ka premtuar vazhdimisht se rekrutët nuk do të dërgohen për të luftuar. Ata lejohen të angazhohen në detyra logjistike ose ndërtimore larg vijës së parë të frontit.
Megjithatë, pas vetëm katër muajsh trajnim bazë, rekrutët mund të shtyhen ose detyrohen të nënshkruajnë kontrata vullnetare për shërbim të plotë ushtarak – përfshirë pjesëmarrjen në luftime. Aktivistët dhe avokatët thonë se rekrutët shpesh nuk e kuptojnë plotësisht çfarë po nënshkruajnë.
Në verën e kaluar, trupat ukrainase kaluan kufirin dhe hynë në rajonin Kursk të Rusisë, duke mposhtur mbrojtjen e dobët kufitare. Gjatë këtij sulmi, shumë rekrutë u kapën rob apo rezultuan të zhdukur; të paktën 25 u vranë, sipas medias hulumtuese Vyorstka.
Aleksandri ishte me fat që nuk ishte mes tyre.
Prokurorët ushtarakë dhe zyrtarët e qendrës lokale të rekrutimit nuk ishin të qasshëm për të komentuar rastin e tij.
"Hapëm llogore dhe pastaj thjesht qëndruam aty"
Aleksandri, që foli për Radion Evropa e Lirë nga rajoni i Jaroslavlit, në verilindje të Moskës, tha se ishte rekrutuar në vjeshtën e vitit 2023 dhe u thirr për shërbim në dhjetor, ku fillimisht u vendos në rajonin Amur, pranë kufirit me Kinën.
Ai iu bashkua njësisë së Trupave Hekurudhore – një forcë logjistike që menaxhon rrjetin hekurudhor ushtarak rus.
“Sa i përket trajnimit, bëmë disa herë qitje dhe kaq. Nuk pati ndonjë trajnim të veçantë”, tha ai.
Në prill të 2024-tës, një numër i panjohur rekrutësh nga baza e tij u dërguan në Briansk, rajon që kufizohet me Ukrainën.
Fillimisht, ai dhe grupi i tij pre tetë personash u urdhëruan të ndërtonin bunkerë për Gardën Kufitare. Sipas tij, nuk panë asnjë ushtar vullnetar (të njohur si “kontraktiki”) apo të mobilizuar (që njihen si “mobiki”).
“Kur na dislokuan, nuk ishte askush tjetër, përveç rekrutëve. Edhe komandanti i skuadrës sonë ishte si ne, vetëm se kishte studiuar në shkollë ushtarake para ushtrisë”, tha ai.
Më 6 gusht, kur trupat ukrainase depërtuan në rajonin Kursk, batalioni i Aleksandrit ndodhej në Briansk. “Ne hapëm shpejt llogore të vogla dhe pastaj thjesht qëndruam aty. Kaq!”, kujton ai.
Sipas tij, oficerët e lartë urdhëruan rekrutët të pozicionohen në vijën e parë, pranë kufirit, ndërsa pas tyre ndodheshin ushtarët profesionistë dhe pajisje më të mira.
Rekrutëve u ndalohej të tërhiqeshin pa urdhër – edhe nëse sulmoheshin.
“Në një rast qëndruam nën zjarr artilerie për disa orë. Ishim në një mision zbulimi kur dolën forcat ukrainase. Nuk mund të iknim, sepse edhe tonët do të na qëllonin për të mos na tradhtuar pozicionin. U shtrimë dhe pritëm për disa orë”, tha ai.
Një dron kamikaz ukrainas shpërtheu afër pozicionit të tij, duke i shkaktuar një tronditje – e pesta me radhë.
Zona gri për rekrutët
Zyrtarët rusë vazhdojnë të mohojnë atë që është tashmë një sekret i hapur mes familjeve të ushtarëve: që rekrutët janë përfshirë në luftime, me ose pa qëllim.
Ligji lejon që pas katër muajsh shërbim, rekrutët të nënshkruajnë kontrata dhe të bëhen ushtarë me pagesë – gjë që legalisht i lejon të dërgohen në luftë.
Por, ka raportime të shumta se ushtarakët i detyrojnë apo i mashtrojnë rekrutët që të nënshkruajnë kontrata, pa u ofruar informacione të qarta ose paralajmërime ligjore.
Në tetor, disa rekrutë nga një divizion tankesh në Rusi morën kompensim prej 305.000 rublash (rreth 3.600 dollarë), pasi denoncuan se kishin nënshkruar kontrata të falsifikuara me Ministrinë e Mbrojtjes.
Në po atë muaj, Aleksandri, i cili nuk kishte nënshkruar ndonjë kontratë vullnetare, u plagos përsëri, këtë herë nga një fragment droni që e goditi në këmbën e majtë. U transferua nga vija e frontit dhe u shtrua në një klinikë ushtarake në Borzia, prej nga ishte dërguar fillimisht.
Sipas tij, mjekët ushtarakë hezituan ta diagnostikonin lëndimin e tij, për shkak të statusit të tij si rekrut – gjë që do të përbënte shkelje ligjore. Kjo bëri që të mbetej pa të drejtë kompensimi për plagë lufte.
U lirua nga shërbimi më 10 dhjetor 2024 – saktësisht një vit pasi kishte hyrë në ushtri.
“Në fillim nuk mund të ecja fare”, tha ai. “Vetëm çaloja. Pastaj u shërova pak, bleva një bastun dhe së paku fillova të eci”.
“Më mbajtën në spital deri në çmobilizim. Mbeta invalid. Edhe pa para”, shton ai. “Kam edhe sulme paniku. Kur dëgjoj zhurma të forta, menjëherë filloj të kërkoj dronët me sy”.
Tani, Aleksandri thotë se do të paraqesë një ankesë zyrtare në Prokurorinë Ushtarake për të kërkuar njohjen e përfshirjes në luftime dhe kompensim për plagët që mori./REL