Tonali është objektivi kryesor

- Bota Sot

Tonali është objektivi kryesor

Drejtuesit e Juventusit kanë nisur tashmë të ndërtojnë strategjinë për merkaton e verës dhe duket se prioritetet janë përcaktuar qartë.

Në qendër të vëmendjes qëndron rikthimi i Sandro Tonalit në Serinë A, ndërsa për repartin ofensiv është vënë në shënjestër Dan Ndoje, sulmuesi anësor i Kombëtares së Zvicrës, pa përfshirë këtu Viktor Osimhenin për të cilin do të provohet gjithçka për ta blerë.

TONALI- Kristiano Xhuntoli, drejtori i bardhezinjve, ka përzgjedhur mesfushorin italian të Njukasëllit si objektivin kryesor për të rikthyer cilësinë dhe balancën në një repart që këtë sezon ka vuajtur jo pak.

Rikthimi i mundshëm i Tonalit në Itali, nuk është aspak i lehtë për t’u realizuar.

Njukasëlli e bleu nga Milani për 60 milionë euro dhe nuk është e gatshme ta lëshojë për një shumë më të ulët. Për këtë arsye, kualifikimi i Juventusit në Champions bëhet vendimtar. të ardhurat që garanton kompeticioni më i rëndësishëm europian do t’i jepnin “Zonjës së Vjetër” forcën financiare për të bindur klubin anglez.

Nëse bardhezinjtë do të mbeten jashtë Champions-it dhe do të luajnë në Ligën e Europës ose të Konferencës, mundësitë për të siguruar shërbimet e Tonalit do të bien ndjeshëm.

NDOJE- Ndërkohë, lëvizje priten edhe në repartin ofensiv. Me të ardhmen e Dushan Vlahoviçit ende në pikëpyetje, gjithnjë e më afër një largimi, Xhuntoli po vëzhgon profile të reja për krahët e sulmit. Dan Ndoje, lojtari i Bolonjës, është një nga emrat që pëlqehet shumë nga drejtuesit juventinë.

Sezoni i tij i fundit ka qenë bindës, përveç shpërthimeve dhe driblimeve, lojtari zviceran ka shtuar në lojën e tij edhe konkretësinë përpara portës, me 8 gola dhe 4 asiste në këtë edicion të Serisë A. Këto statistika e kanë vënë në radar edhe të Milanit. Për këtë arsye, pritet një duel mes dy ekipeve.



Lexoni të gjitha në Bota Sot