Inzaghi joshet nga parat e Arabisë Saudite

- Bota Sot

Inzaghi joshet nga parat e Arabisë Saudite

Simone Inzaghi dhe Interi do të takohen në fund të sezonit për të diskutuar për të ardhmen, një takim i zakonshëm ky mes trajnerit dhe klubit për të analizuar sezonin që kaloi, për të folur për perspektivat e skuadrës dhe, sigurisht, për merkaton që do të vijë.

Megjithatë, këtë vit, do të ketë një element shtesë për t’u marrë parasysh: oferta e majme e ardhur nga Arabia Saudite, nga Al Hilal, e cila është e gatshme të ofrojë shumë para për trajnerin zikaltër.

Inzaghi, nga ana e tij, do të ishte shumë i lumtur të vazhdonte aventurën me Interin, ashtu siç edhe klubi dëshiron ta shohë atë në pankinë, por do të jetë e pashmangshme të kuptohet se çfarë do t’i propozohet në lidhje me investimet në skuadër, përtej çdo diskutimi financiar rreth kontratës.

Çështja kryesore është, se përveç finales së Ligës së Kampionëve, do të jetë pikërisht kjo që do të përcaktojë qëndrimin e Inzaghit te Interi.

Nuk ka kuptim të bëjmë parashikime tani, por është e qartë se nuk përjashtohet asnjë skenar, aq sa, sipas “Corriere della Sera”, në rast se Inzaghi largohet, mund të rikthehet në diskutim emri i Masimiliano Allegri, i cili është shumë i vlerësuar nga presidenti Bepe Marotta dhe që po përgatitej të merrte drejtimin e Interit para se të vinte Inzaghi.

Ish-trajneri i Juventusit është gjithashtu në radar të Napolit, në rast se ata do të ndahen nga Konte: dhe në këtë rast, do të ketë një përballje të re, këtë herë të merkatos, mes azzurrëve dhe Interit, pas atij dueli që ka mbajtur peshë Serinë A gjatë këtij sezoni.



Lexoni të gjitha në Bota Sot