Duke folur për mikrofonat e “Rai Sport”, presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis tha për titullin kampion:
"Ky triumf për Napolin është i jashtëzakonshëm, e di mirë. Vij nga një familje napolitane, e di çfarë do të thotë të festosh. E prisja këtë moment që kur mora Conten, sepse ai është trajner fitues.
Me të kemi pasur kontakte vite më parë në Maldive, në nëntor e kërkova, kur gjërat nuk po shkonin mirë dhe ai më tha: Aurelio, unë nuk e kam ndërtuar këtë skuadër me ty. Takohemi në qershor dhe t’ia nisim nga aty.
Dhe ashtu ndodhi. Ai është fitues, është i jashtëzakonshëm. Sipas meje është trajneri më i madh që mund të kesh dhe kështu arritëm te qëllimi".
A do të qëndrojë Conte?
Conte ka një kontratë 3-vjeçare. Nëse dëshiron të qëndrojë me dëshirë dhe të përpiqet të fitojë Ligën e Kampionëve, që sipas meje do të ishte kurorëzimi i karrierës së tij, jemi të gjithë gati ta mbështesim siç duhet. Nëse dëshira e tij është diku tjetër, unë nuk dua ta detyroj askënd. Do t’i lutem të qëndrojë, por nuk mund ta detyroj.
Kur do të takoheni?
Së shpejti.
Cili ishte momenti në këtë kampionat, kur kishit frikë se nuk do t’ia dilnit?
Nuk jam njeri që ka frikë. Kinemaja më ka mësuar të mos kem frikë.
A do të bëni merkato të rëndësishme?
Si çdo vit, e jona ka qenë gjithmonë merkato e rëndësishme. Tifozët duhet të jenë të qetë, janë në duar të sigurta.