Jurgen Klopp ka ndarë mendimet dhe lutjet e tij për tifozët e Liverpool-it që u plagosën, apo u prekën nga skenat tragjike të ndodhura gjatë paradës për festimin e titullit të Premier League.
“Reds” po festonin me paradë mbi një autobus të hapur në rrugët e qytetit, kur ndodhi tragjedia. Një makinë përplasi turmën në qendër të qytetit.
Ngjarja ndodhi pas orës 18:00 në “Water Street”, pasi mijëra tifozë kishin dalë për të festuar. Pamje tronditëse treguan rrugë të mbushura me mbeturina, kordonë policie dhe prani të madhe të forcave të rendit, ambulancave e zjarrfikësve.
Makina, pasi kaloi mbi disa njerëz, ndaloi më pas në vendngjarje.
Policia arrestoi një burrë britanik të bardhë, 53 vjeç, nga zona e Liverpool-it, duke konfirmuar se nuk ishte akt terrorist. Sipas përditësimeve të fundit, 27 persona janë dërguar në spital, përfshirë 4 fëmijë, ndërsa rreth 20 të tjerë janë trajtuar në vend për plagë më të lehta.
I pranishëm në paradë, ish-trajneri i Liverpool-it, Jurgen Klopp, e ndjeu të nevojshme të japë një mesazh për të prekurit. “Unë dhe familja ime jemi të shokuar dhe të shkatërruar. Mendimet dhe lutjet tona janë me të gjithë të plagosurit e të prekurit, – ka shkruar ai në Instagram. – You’ll never walk alone”.