“Faleminderit tifozëve që më duan, por kam bërë një zgjedhje të gabuar për tipin e klubit”. Kështu u shpreh Mario Balotelli, ende nën kontratë me Genoa, por i përjashtuar prej muajsh nga projekti i skuadrës në fjalë. Në vitin 2025 nuk ka zbritur asnjëherë në fushë. Për të ardhmen, Balotelli thotë:
“Është e vështirë të luaj sërish në Itali apo në Europë. A kam ndonjë ide ndryshe?
Po, Amerika.
Do të luaj edhe dy apo tri vite përpara se të tërhiqem nga futbolli. Do të jetë një tronditje fizike, por gjithçka që rrotullohet rreth futbollit nuk do të më mungojë”.
Balotelli e pranon se nuk e ka arritur nivelin e yjeve më të mëdhenj, por jo për shkak të talentit: “Nuk kam asgjë për t’i pasur zili Messit apo Ronaldos. Pse Ronaldo ka fituar 5 ‘Topa të Artë’ dhe unë jo? Sepse ai bëhet copash në stërvitje, ndërsa unë jo”.
Për marrëdhënien me Mourinho: “Unë dhe Jose ishim dy kokëfortë, kjo dihet. Sidoqoftë, për nga karakteri ai është edhe më i keq se unë”.
Për faullin më të keq të pësuar në karrierë: “Nga Totti. I shkrova: pse më godite? Dhe ai më tha: sa keq që nuk të qëllova mirë”.
Për dështimin e Italisë në Botërorin 2014:
“Unë, i vetmi fajtor? Futbolli luhet me 11 lojtarë. Ka plot që duken të mëdhenj, por fshihen lehtë…”
Për ofendimet raciste që ka përjetuar gjatë karrierës, gazetarja Fagnani i kujtoi një rast në Romë (Ponte Milvio), kur dy persona i hodhën banane. Balotelli shtoi: “Nuk besoj se do ta bëjnë më, besoj se e mbajnë mend”. Dhe kur u pyet nëse i kishte rrahur, tha: “Jo…”