Finalja e Champions League, pse Interi zgjodhi fanellën e tretë

- Bota Sot

Finalja e Champions League, pse Interi zgjodhi fanellën e tretë

Më 31 maj, në Mynih, Interi do të zbresë në fushë kundër Paris Saint-Germain-it me fanellën e tretë, atë të verdhë.

Ndonëse në letër kjo është një finale neutrale, zikaltrit do të luajnë "në transfertë", pasi PSG konsiderohet si skuadra pritëse dhe do të veshë fanellën e parë, ngjyrë blu me vija të bardha dhe të kuqe në mes.

Zikaltrit kishin për zgjedhje fanellën e dytë, të bardhën, ose të tretën, atë të verdhën. Futbollistët zgjodhën të dytën, për disa arsye që përfshijnë dizajnin, simbolikën dhe... pak supersticion.

Fanella e verdhë është frymëzuar nga arkitektura dhe arti modern i Milanos dhe përfaqëson shpirtin “kundër rrymës” që karakterizon shumë figura të njohura të qytetit.

Pak supersticion, shumë statistikë

Përveç aspektit estetik dhe simbolik, vendimi është ndikuar edhe nga statistikat dhe fati i mirë. Në fushat europiane këtë sezon, Interi ka humbur vetëm një ndeshje: atë ndaj Bayer Leverkusen, ku veshi fanellën e bardhë.

Në të verdhë, bilanci është shumë më pozitiv: 7 fitore (dy prej të cilave në Champions League, kundër Sparta Pragës dhe Feyenoord-it), 1 barazim dhe vetëm 1 humbje.

Në këtë mënyrë, lojtarët kërkojnë të mbajnë gjallë energjinë pozitive që i ka shoqëruar me fanellën e tretë, ndërsa edhe portieri Sommer do të mund të përdorë setin e tij portokalli atë me të cilin ndali Lamine Yamal në ‘San Siro’.

Nuk është hera e parë që Interi përdor fanellën e tretë në një finale.

Në sezonin 1997/98, në finalen e Kupës UEFA kundër Lazios, Interi zbriti në fushë me një fanellë të tretë me vija horizontale gri dhe të zeza, fanella që kishte përdorur përgjatë gjithë kompeticionit si “shtëpiake”.

Në atë finale, në Paris, Ronaldo “Fenomeni” ngriti trofeun në qiellin e shtëpisë së PSG-së.

Tani, 27 vite më vonë, historia mund të përsëritet me një fanellë të tretë, një sfidë në “shtëpinë” e kundërshtarit dhe një tjetër mundësi për të shkruar historinë.



Lexoni të gjitha në Bota Sot