Presidenti i Kolumbisë pretendon atentat ndaj tij – fajëson grupin e shqiptarit Dritan Gjika

- Gazeta e Prizrenit

Presidenti i Kolumbisë pretendon atentat ndaj tij – fajëson grupin e shqiptarit Dritan Gjika

Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, ka ngritur akuza të rënda ndaj një grupi të lidhur me krimin e organizuar, të cilin e cilëson si “kartel droge me qendër në Abu Dhabi” dhe e lidh me shqiptarin Dritan Gjika.

Përmes një postimi në rrjetin social X, Petro ka deklaruar se ky grup ka tentuar të organizojë një atentat ndaj tij, ndërsa e akuzon edhe për kontroll mbi pjesë të sistemit të drejtësisë dhe përfshirje në vrasje të bujshme.

“Ky quhet karteli i trafikut të drogës, me qendër në Abu Dhabi. Ata kontrollojnë një rrjet prokurorësh dhe, nëpërmjet CTI-së, portin e Buenaventurës. Ata janë autorët e vrasjes së prokurorit paraguaian Pecci dhe kanë arritur të mbulojnë autorët e vrasjes brenda prokurorisë. Ata kanë tentuar të më bëjnë atentat pa sukses”, ka shkruar Petro.

Kjo deklaratë vjen vetëm pak ditë pas arrestimit të Dritan Gjikës, 47-vjeçar shqiptar dhe i shumëkërkuar ndërkombëtarisht për trafik droge, pastrim parash dhe krim të organizuar.

Ministria e Brendshme e Ekuadorit njoftoi se Gjika u arrestua më 26 maj 2025 në Abu Dhabi, Emiratet e Bashkuara Arabe, gjatë një operacioni të përbashkët të Njësisë Kombëtare të Interpolit në Ekuador, në bashkëpunim me autoritetet vendase dhe me mbështetjen e platformës ndërkombëtare PAcCTO 2.0.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit