Luis Enrique nuk ka humbur asnjëherë finale

- Bota Sot

Luis Enrique nuk ka humbur asnjëherë finale

Luis Enrique është gati të shkruajë një tjetër faqe të lavdishme në karrierën e tij si trajner.

Finalja ndaj Interit do të jetë e 11-ta në karrierën e tij, dhe statistikat janë të frikshme – veçanërisht për kundërshtarët: trajneri spanjoll nuk ka humbur asnjë finale deri tani, duke fituar të gjitha përballjet vendimtare në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

Gjurmët e suksesit të tij fillojnë që nga finalja e Ligës së Kampionëve në vitin 2015, ku Barcelona e tij mposhti Juventusin 3-1 në Berlin. Po atë vit, “Lucho” fitoi edhe Superkupën e UEFA-s në një ndeshje spektakolare 5-4 ndaj Sevillës, Botërorin për Klube me një fitore të pastër 3-0 ndaj River Plate dhe Kupën e Mbretit me një tjetër 3-1 ndaj Athletic Bilbaos.

Suksesi vazhdoi edhe në vitet që pasuan. Me Barcelonën, Enrique fitoi edhe dy Kupa të Mbretit të tjera: 2-0 ndaj Sevillës në 2016 dhe 3-1 ndaj Alavesit në 2017.

As në Francë, ku aktualisht drejton Paris Saint-Germain-in, Enrique nuk ka ndryshuar ritëm. Në dy sezonet e fundit (2024 dhe 2025), ai ka fituar dy Kupa të Francës dhe dy Superkupa franceze. Në 2024 triumfoi ndaj Lyonit (2-1) dhe Toulouse (2-0), ndërsa këtë sezon mposhti Reims (3-0) dhe Monaco (1-0).

Tani përballë është Interi, por historia flet qartë: në finale, Luis Enrique nuk njeh humbje.



Lexoni të gjitha në Bota Sot