Ish-ylli i Juventusit i gatshëm t’i bashkohet Milanit

- Bota Sot

Ish-ylli i Juventusit i gatshëm t’i bashkohet Milanit

Ish-mesfushori i Juventusit, Adrien Rabiot, ka lënë të kuptohet se do të ishte i hapur për t’u bashkuar me rivalët e Serie A, Milanin, pas emërimit të ish-trajnerit të “Bianconerëve”, Massimiliano Allegri, në fundin e javës së kaluar.

Allegri është rikthyer te Milani me një kontratë dyvjeçare, me opsion për edhe 12 muaj të tjerë, 11 vjet pasi u largua për herë të parë nga “Rossonerët”. Ai zëvendëson Sergio Conceicaon, qëndrimi i të cilit në “San Siro” zgjati gjashtë muaj, përcjellë KosovaPress.

Rabiot, i cili kaloi pesë vite me Juventusin – tre prej të cilave nën drejtimin e Allegrit – u largua nga Torino verën e kaluar, jo shumë kohë pasi trajneri italian u shkarkua.

Aktualisht, mesfushori francez luan për Olympique de Marseille nën drejtimin e Roberto De Zerbit, ku ka dhënë një kontribut të rëndësishëm këtë sezon me 10 gola dhe gjashtë asiste në 31 ndeshje në të gjitha garat.

Ndërsa mbetet nën kontratë me klubin francez deri në verën e vitit 2026, Rabiot thekson se do të jetë gjithmonë i hapur për të biseduar me Allegrin.

Në një intervistë për “La Gazzetta dello Sport”, Rabiot tregoi se shokët shpesh i referohen atij dhe Allegrit si “baba e bir”.

“Zgjedhja për të kaluar te Marseille, pa qenë të kualifikuar në Ligën e Kampionëve, nuk ishte një garanci. Tani që jemi kualifikuar, do të ishte fantastike të luanim në atë stadium dhe në atë atmosferë,” u përgjigj ai kur u pyet nëse do të ishte i hapur për një transferim te Milani.

“Flas shpesh me Allegrin,” shtoi francezi. “Giovanni Rossi, këshilltari i De Zerbit, gjithashtu bashkëpunon me të, dhe sa herë që më telefonon, më thotë: ‘Eja këtu, do të të kaloj te babai yt’.

“Mund të flas për gjithçka me Allegrin, jo vetëm për futbollin. E vlerësoj shumë si person. Ai ka një mentalitet fitues. Dhe sigurisht, nëse më telefonon, do të jem gjithmonë i gatshëm për të biseduar me të.”, ka theksuar në fund Rabiot.



Lexoni të gjitha në Bota Sot