Klubi parizien vendosi një rekord të ri të fitimeve në këtë kompeticion, duke arkëtuar plot 148.4 milionë euro nga pjesëmarrja dhe triumfi përfundimtar I trofeut.
Përpara finales, PSG kishte kryesuar tabelën e të ardhurave me 137.9 milionë euro, vetëm pak përpara rivalëve të tyre të mbrëmjes, Interit, që kishte arritur në 136.6 milionë euro.
Fitorja me rezultat bindës 5-0 kundër gjigantëve italianë, i solli PSG-së një shpërblim shtesë prej 6.5 milionë eurosh për triumfin në finale.
Përveç kësaj, PSG siguroi edhe 4 milionë euro të tjera për kualifikimin automatik në Superkupën e Evropës, duke e çuar totalin e fitimeve në shifrën rekord prej 148.4 milionë euro.
Kjo e tejkalon rekordin e vendosur nga kampioni i vitit të kaluar, Real Madrid, që kishte grumbulluar 138.8 milionë euro.
Ky rezultat pasqyron jo vetëm fuqinë sportive të PSG-së, por edhe ndikimin e formatit të ri të UEFA-s për Ligën e Kampionëve, me 36 klube pjesëmarrëse dhe një fond çmimesh të rritur në 2.4 miliardë euro.
Investimet e PSG-së dhe performanca e shkëlqyer në këtë edicion e bënë klubin e parë që e kaloi këtë prag fitimesh, duke e kthyer fitoren e madhe në një sukses të dyfishtë - sportiv dhe ekonomik.
Me këtë rekord të ri, PSG jo vetëm që vulosi epërsinë e saj në futbollin evropian, por gjithashtu vendosi një standard të ri për fitimet në historinë e Ligës së Kampionëve..