Policia paralajmëron për rrezik nga arinjtë në zonën e Shtërpcës

- Gazeta e Prizrenit

Policia paralajmëron për rrezik nga arinjtë në zonën e Shtërpcës

Policia e Kosovës ka njoftuar për një “rritje të konsiderueshme të pranisë së kafshëve të egra, veçanërisht arinjve në territorin e komunës së Shtërpcës”.

Duke publikuar fotografinë e një ariu, Policia u bëri apel qytetarëve që të kenë kujdes dhe të mos ndalen t’u bëjnë fotografi nga “distanca të papërshtatshme”.

“Apel për kujdes dhe siguri në zonën malore të Shtërpcës. Të nderuar qytetarë dhe vizitorë, Bazuar në informacionet e mbledhura nga terreni, është vërejtur një rritje e konsiderueshme e pranisë së kafshëve të egra – veçanërisht e arinjve – në territorin e komunës së Shtërpcës. Raportimet e përditshme tregojnë se këto kafshë janë parë në afërsi të vendbanimeve, çka paraqet një rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë e qytetarëve. Situata bëhet edhe më shqetësuese në zonat malore përreth Brezovicës, sidomos përreth liqeneve të Shtërpcës, me theks tek liqeni i Jazhincës, ku çdo ditë qëndrojnë një numër i madh turistësh dhe vizitorësh vendorë e të huaj. Shumë prej tyre janë në kontakt të afërt me kafshët e egra, duke bërë fotografi dhe video nga distanca të papërshtatshme (vetëm 10-20 metra larg), veprime të cilat mund të çojnë në pasoja serioze për jetën e tyre”, thuhet në reagimin e Policisë.

Policia u bën thirrje qytetarëve, “sidomos familjeve me fëmijë”, që “të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qëndrimit në natyrë dhe të shmangin çdo afrim ndaj kafshëve të egra”.

“Në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, do të ndërmerren masa informuese dhe parandaluese. I ftojmë gjithashtu mediat që të ndihmojnë në shpërndarjen e këtij apeli, me qëllim vetëdijesimin e qytetarëve dhe mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të të gjithëve”, thuhet në reagimin e Policisë.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit