Interi e ka bërë objektiv Hojlund

- Bota Sot

Interi e ka bërë objektiv Hojlund

Interi është i vendosur të përforcojë repartin ofensiv pas humbjes 5-0 ndaj Paris Saint-Germain në finalen e Ligës së Kampionëve. Ky rezultat mund të sjellë ndryshime të mëdha në skuadrën e trajnerit Simone Inzaghi. 

Sipas gazetës milaneze Gazzetta dello Sport, zikaltrit janë të gatshëm të transformojnë sulmin e tyre, i cili tregoi një performancë të zbehtë në Mynih. 

Marko Arnautovic dhe Joaquin Correa pritet të largohen nga ‘Giuseppe Meazza’ si lojtarë të lirë, dhe Interi ka në plan të zëvendësojë mungesën e tyre me një sulmues me emër relativisht të madh. 

Thuhet se një nga emrat që po konsiderohet seriozisht është Rasmus Hojlund, i cili u largua nga Serie A për të kaluar në Ligën Premier në vitin 2023. 

Reprezentuesi danez, që iu bashkua Manchester Unitedit nga Atalanta për një shumë rreth 70 milionë euro, është cilësuar si një transferim zhgënjyes për “Djajtë e Kuq”. Megjithatë, Interi vazhdon të besojë në potencialin e 22-vjeçarit. 

Mësohet se Interi është i gatshëm të shpenzojë rreth 40 milionë euro për të siguruar një sulmues që do të ofrojë konkurrencë të fortë për një vend titullari ndaj Lautaro Martinez dhe Marcus Thuram. 

Sipas Gazzetta dello Sport, Hojlund është ‘opsioni favorit’ për këtë rol. 

Ish-senzacioni i Atalantës kishte lënë përshtypje të mira në Serie A me fizikun dhe shpejtësinë e tij, por në Angli nuk ka arritur të përshtatet me intensitetin e Ligës Premier dhe duket një hije e vetes. 

Megjithatë, danezi mund të rezultojë një përforcim shumë i vlefshëm nëse Inzaghi arrin t’i rikthejë vetëbesimin në një ambient të njohur për të. 

Sa i përket Manchester Unitedit, ata thuhet se janë të vendosur të ndajnë rrugët me Hojlund.



Lexoni të gjitha në Bota Sot