Pas muajsh reflek timesh dhe pritjeje, Milani ka vendosur të mos humbasë më kohë. Emërimi zyrtar i Masimiliano Alegrit si trajner dhe i Igli Tares si drejtor sportiv, ka hapur një kapitull të ri në “Casa Milan”, ku ritmi i punës tashmë është përshpejtuar ndjeshëm.
Trajneri i ri, i cili rikthehet në stolin ku filloi rrugëtimin e madh të karrierës, ka vendosur të thërrasë skuadrën më herët se zakonisht, më 4 korrik, për të përfituar maksimalisht nga ditët në Milanelo përpara nisjes së turneut në Azi dhe Australi.
TAKIMI TARE-ALEGRI Takimi i parë mes Alegrit dhe Tares ka shërbyer për të përcaktuar drejtimet e merkatos, hyrjet, daljet dhe formësimi i një ekipi sa më të plotë para fillimit të sezonit. Ajo që është e qartë, është se e ardhmja e Teo Hernandezit nuk është më e lidhur me fanellën kuqezi. Sipas “La Gazzetta dello Sport”, vetë lojtari, përmes agjentit të tij Kuilon, ka njoftuar klubin se dëshiron një aventurë të re jashtë Italisë.
Bisedimet për rinovimin kanë dështuar për shkak të diferencës së madhe mes kërkesës së lojtarit (8 milionë euro në sezon) dhe ofertës së Milanit (4 milionë euro). Për momentin, nuk ekziston asnjë mundësi për një rikthim në tryezë.
ZËVENDËSUESI I TEOS- Duke parë largimin e afërt të mbrojtësit francez, Igli Tare ka nisur menjëherë kërkimin për një zëvendësues të denjë. Dy emra janë aktualisht në vëzhgim: Xhunior Firpo i Lidsit, i cili do të jetë lojtar i lirë këtë verë, dhe Destini Udogi i Totenhamit. Ky i fundit është një nga talentet më premtuese të mbrojtjes italiane.
Profili i Udogit përputhet me filozofinë e re të Milanit, i ri, italian dhe me potencial të madh rritjeje. Megjithatë, transferimi i tij do të jetë sfidues, pasi Totenhami e vlerëson kartonin e tij rreth 40 milionë euro dhe nuk ka ndërmend të lehtësojë largimin e tij.
KOHË REKORD- Me një sezon që nis më herët dhe një projekt të ri teknik, Milani është i detyruar të lëvizë me shpejtësi dhe efikasitet në tregun e transferimeve. Tare dhe Alegri kanë në dorë timonin e një klubi që kërkon të rikthehet mes më të mirëve, brenda dhe jashtë Italisë. Sfidat janë të shumta, por sinjalet e para tregojnë një qasje të vendosur dhe pragmatiste.
Në një merkato që sapo ka nisur të marrë formë, një emër ka rikthyer jehonën në titujt kryesorë, Rafael Leao. Ylli portugez i Milanit është bërë objekt i interesit të madh nga Bajerni i Mynihut, që e ka vendosur sulmuesin në listën e preferencave.
SITUATA- Jemi në një moment tranzicioni, një sezon ka përfunduar, një tjetër ka nisur “de facto” nëpërmjet planeve të merkatos. Milani këtë herë ka qenë më i shpejtë se rivalët, ka zyrtarizuar Masimiliano Alegrin në stol dhe Igli Taren si drejtor sportiv.
Dhe të dy e kanë bërë të qartë: Rafa Leao është baza e projektit të ri, i pari i pashitshëm ose, siç thuhet ndryshe, “i fundit që mund të largohet”. Për këtë arsye, largimi i Leaos nga Milano nuk shihet si shumë i mundshëm, pavarësisht zërave dhe joshjeve që vijnë nga Gjermania dhe jo vetëm.