Kombëtarja shqiptare do ta zhvillojë këtë të shtunë ndeshjen e rëndësishme dhe të veçantë ndaj Serbisë në kuadër të kualifikimeve për Botërorin 2026.
Federata Shqiptare e Futbollit ndërkohë ka njoftuar sot se procesi i blerjes elektronike përmes shortit i biletave do të vazhdojë deri më 3-4 qershor, ndërsa që ka nisur pajisja e tifozëve me bileta.
Shtëpia e futbollit shqiptar ndërkohë ka njoftuar se deri më tani janë regjistruar mbi 200,000 aplikime, që tregon interesin e jashtëzakonshëm të publikut për këtë ndeshje.
E prej këtyre kërkesave, më pak se 20 mijë tifozë do të jenë fatlumë për ta parë ndeshjen në stadium pasi një sektor i stadiumit, respektivisht 20 për qind, do të jetë i mbyllur pas dënimit që e kishte marrë FSHF-ja nga FIFA.
Për dallim prej të së kaluarës, duke e parë rëndësinë dhe ndjeshmërinë e kësaj ndeshjeje, FSHF-ja e ka lëshuar dorën dhe çmimi i biletave shkon deri në 40 mijë lekë, që i bie rreth 400 euro.
Mirëpo, fatkeqësisht edhe këtë radhë ka nisur të dalë në pah tregu i zi i biletave.
Në platformat online, ku zakonisht njerëzit e kanë mundësinë t’i prezantojnë produktet e tyre të shitjes, ka nisur shitja e biletave online të ndeshjes që do të luhet këtë të shtunë në “Arenën Kombëtare”.
Bileta e 3000 lekëve, që i bie 30 euro, në treg të zi nga një tifoz anonim shitet 250 euro.
Një tjetër i kishte vendosur katër bileta në shitje online, pa ua vendosur çmimin, por me shkrimin: “çmimi sipas marrëveshjes”.
Një shitës tjetër i ka vendosur në shitje katër bileta dhe për secilën prej tyre i kërkon nga 150 euro.
Edhe një shitës tjetër i paraqitur në platforma online njoftoi se e shet biletën për hiç më pak se 600 euro.
Kurse një tjetër i shiste dy bileta për tribunën E-203 në vlerë prej 700 eurosh.
Një tjetër shitës i kishte vënë në shitje pesë bileta me çmim prej 250 eurosh për copë.