Kosova U19 fiton bindshëm ndaj Saksonisë

- Bota Sot

Kosova U19 fiton bindshëm ndaj Saksonisë

Kombëtarja U19 e Kosovës ka shënuar fitore bindëse ndaj Saksonisë U19 (regjion i Gjermanisë), me rezultat të thellë 7:1, në ndeshjen e parë miqësore, e cila u zhvillua në Kampin Nacional në Hajvali.

Përkundër fillimit të vrullshëm të mysafirëve, që kaluan në epërsi që në minutën e 5-të me golin e Liam Heidler, Dardanët e rinj të drejtuar nga Albert Bunjaku, reaguan shpejt dhe me vendosmëri.

Golin e barazimit e realizoi Larson Ferati në minutën e 20-të nga pika e bardhë. Më pas, Rin Ahmeti shkëlqeu me dy gola në minutat 32 dhe 38, duke përmbysur rezultatin dhe duke i dhënë Kosovës epërsinë.

Në pjesën e dytë, Kosova pati dominim të topit, me ç’rast në minutën e 55-të Leart Salihu realizoi golin e katërt, ndërsa Ardian Murati shënoi edhe dy gola në minutat 70 dhe 85. Midis tyre, në minutën e 76-të, Drin Lakna kontribuoi me një tjetër gol të bukur, për të kompletuar fitoren 7:1.

Pas ndeshjes, përzgjedhësi i Kosovës U19, Albert Bunjaku, u shpreh i kënaqur me rezultatin dhe performancën e ekipit, ndërsa nuk i fshehu as emocionet për ndeshjen e tij të parë:

“Jam i kënaqur me këtë ndeshje, për mua ishte emocion i veçantë për shkak se ishte ndeshja ime e parë me Kosovën në cilësinë e trajnerit. Kundërshtari fizikisht ishte shumë i përgatitur, por jam shumë i kënaqur me djemtë tanë. Nuk ishte e lehtë sepse temperaturat ishin shumë të larta, e po ashtu djemtë tanë kishin presion për ta fituar këtë ndeshje. Gjithsesi jam shumë i lumtur”, theksoi Bunjaku.

Derisa për përzgjedhësin Bunjaku kjo ishte ndeshja e parë, për futbollistin Drin Lakna ishte goli i parë me Kosovën:

“Loja ishte e mirë, ishte shumë nxehtë, por kemi luajtur shumë mirë me ekipin, prandaj kemi fituar 7:1 dhe jam i lumtur për rezultatin që e kemi arritur. Është goli im i parë për Kosovën dhe jam ndjerë shumë mirë, kjo ka qenë ëndrra ime që në fëmijëri”, tha Drin Lakna.

Ndërsa Leotrim Jerlia pohoi se e kanë ndjerë fitoren që në momentet e para të ndeshjes:

“Ndeshja ka qenë shumë e mirë, kemi pasur shumë motiv për ta fituar këtë ndeshje. Qëllimi ka qenë që të japim sa më shumë gola, ndërsa që nga fillimi i takimit e kemi kuptuar që loja është në dorën tonë. Djemtë më kanë pëlqyer shumë, e po ashtu trajneri dhe i gjithë stafi”, theksoi ai.

Sipas përzgjedhësit Albert Bunjaku, stërvitja e radhës do të jetë rigjeneruese, ndërsa në ndeshjen e dytë miqësore ndaj të njëjtit kundërshtar, fokusi do të jetë më shumë në ndërtimin e lojës dhe do të aplikohet më shumë lojë taktike, duke bërë po ashtu edhe shumë zëvendësime.

Ndeshja e dytë zhvillohet më 6 qershor nga ora 11:00, po ashtu në Kampin Nacional në Hajvali.



Lexoni të gjitha në Bota Sot