Sulm misterioz në Prizren/ Policia publikon detaje për rastin e lëndimit të rëndë trupor

- Gazeta e Prizrenit

Sulm misterioz në Prizren/ Policia publikon detaje për rastin e lëndimit të rëndë trupor

Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë Rajonale në Prizren, ka njoftuar opinionin publik për një rast të lëndimit të rëndë trupor, i cili është raportuar më 11 qershor 2025 nga një qytetar 30-vjeçar me inicialet M.M., banues në Prizren.

Sipas deklarimeve të viktimës, rasti ka ndodhur më 9 qershor 2025, rreth orës 06:00 të mëngjesit, në rrugën “Mursel Osmanaj”, afër parkut të qytetit. Viktima është sulmuar fizikisht nga dy persona të panjohur, të cilët ishin duke lëvizur me një motoçikletë dhe të pajisur me helmeta, gjë që ka bërë të pamundur identifikimin e tyre në momentin e ngjarjes.

Hetuesit e Stacionit Policor në Prizren kanë arritur të sigurojnë pamje video të incidentit dhe të personave të dyshuar, dhe aktualisht janë duke punuar intensivisht në identifikimin e tyre si dhe në zbardhjen e motivit të mundshëm të këtij sulmi.

Policia e Kosovës inkurajon qytetarët që mund të kenë ndonjë informatë relevante për këtë rast, të lajmërohen përmes kanaleve zyrtare, me qëllim që të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Policia thekson përkushtimin e saj për garantimin e sigurisë publike dhe trajtim profesional e transparent të çdo rasti penal.

Për informacione, qytetarët mund të kontaktojnë në numrin 192 ose përmes emailit [info@kosovopolice.com]



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit