Policia e Kosovës ka realizuar mbrëmjen e 20 gushtit një aksion të rëndësishëm në Prishtinë, duke vënë në pranga një person të shumëkërkuar nga gjykatat dhe policia.
Burime të Gazetës Sinjali bëjnë me dije se i arrestuari është Rinor Grajqevci rreth 31-vjeçar, ndaj të cilit ishin lëshuar gjashtë (6) urdhër-arreste nga Gjykata dhe tre (3) kërkime policore.
Operacioni është zhvilluar nga njësia për zbatimin e urdhëresave të Stacionit Policor Qendra, me mbështetjen e Njësisë për Reagim të Shpejtë – DPK, ku i dyshuari është ndaluar në rrugën “Nezir Mujaj”.
Pas arrestimit, ai është dërguar fillimisht në qendrën e mbajtjes në Podujevë, ndërsa me vendim të Gjykatës i është caktuar 30 ditë paraburgim në Qendrën e Paraburgimit në Hajvali.
Hetuesit kompetentë janë njoftuar për të proceduar edhe me urdhëresat dhe kërkimet e tjera që rëndojnë mbi të.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.