Një akt i ndershmërisë dhe profesionalizmit është shënuar në qytetin e Shtimes, ku dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës kanë gjetur dhe kthyer një shumë parash të humbura.
Më 18 shtator, rreth orës 17:00, gjatë patrullimit në këmbë në sheshin “Ahmet Shtimja”, dy policë të stacionit policor të Shtimes kanë gjetur në tokë një shumë parash prej 500 eurosh (katër kartëmonedha nga 100 € dhe dy kartëmonedha nga 50 €).
Pa humbur kohë, ata kanë dorëzuar paratë në stacionin policor dhe kanë njoftuar menaxhmentin për rastin.
Përmes kamerave të sigurisë, është arritur të identifikohet personi që i kishte humbur paratë. Bëhej fjalë për një 32-vjeçar me inicialet L.R., nga komuna e Shtimes, i cili ishte larguar nga zona me një automjet me targa të huaja.
Pas kontaktimit dhe verifikimit të nevojshëm, qytetari është paraqitur në stacionin policor, ku i janë kthyer mjetet financiare të humbura.