Policët në Shtime gjejnë dhe kthejnë 500 euro të humbura

- Gazeta e Prizrenit

Policët në Shtime gjejnë dhe kthejnë 500 euro të humbura

Një akt i ndershmërisë dhe profesionalizmit është shënuar në qytetin e Shtimes, ku dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës kanë gjetur dhe kthyer një shumë parash të humbura.

Më 18 shtator, rreth orës 17:00, gjatë patrullimit në këmbë në sheshin “Ahmet Shtimja”, dy policë të stacionit policor të Shtimes kanë gjetur në tokë një shumë parash prej 500 eurosh (katër kartëmonedha nga 100 € dhe dy kartëmonedha nga 50 €).

Pa humbur kohë, ata kanë dorëzuar paratë në stacionin policor dhe kanë njoftuar menaxhmentin për rastin.

Përmes kamerave të sigurisë, është arritur të identifikohet personi që i kishte humbur paratë. Bëhej fjalë për një 32-vjeçar me inicialet L.R., nga komuna e Shtimes, i cili ishte larguar nga zona me një automjet me targa të huaja.

Pas kontaktimit dhe verifikimit të nevojshëm, qytetari është paraqitur në stacionin policor, ku i janë kthyer mjetet financiare të humbura.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka falënderuar dy zyrtarët policorë për gjestin e tyre të ndershëm dhe profesional, duke e cilësuar veprimin si një shembull të përkushtimit në shërbim të qytetarëve dhe respektimit të vlerave të institucionit.



Read it all at Gazeta e Prizrenit