Çmimi i energjisë elektrike për Kosovën, sipas ekspertëve të KOSTT-it, u manipulua.
Këto dyshime u ngritën nga një raport i brendshëm i operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës, i publikuar në “Buletinin Ekonomik”.
Sipas këtij raporti, dy kompanitë, “Noa Energy Trade” dhe kompania serbe “Elektroprivreda Srbije”, akuzohen që manipuluan çmimet e energjisë dhe kostos së bartjes së saj gjatë ankandeve në Zyrën e Ankandeve për Evropën Juglindore SEECAO me bazë në Podgoricë, për vitin 2025, raporton Kiks Kosova.
Në ankandet ditore për importimin e energjisë në vendin tonë, në rastet kur çmimi i bartjes arriti mbi 100-200 euro për megavat/orë, fjala ishte vetëm për këto dy kompani.
Në SEECAO, aty ku tregtarët e energjisë elektrike blejnë linjat e transmisionit në ankande vjetore, mujore dhe ditore, sipas KOSTT, dy kompanitë rritën kostot e bartjes së energjisë shumëfish më shumë se çmimi i saj, përgjatë vitit 2025.
Meqenëse “Noa Energy Trade” përveç që furnizon Kosovën me energji, po ashtu siguron edhe linjat e transmisionit për KESCO-në, këto linja, kjo kompani, i bleu në ankand vjetor dhe në rastet kur duhej të importonte energji për KESCO-në, ato i rikthente në ankande ditore, e sipas KOSTT, në pothuajse të gjitha këto raste, në këto ankande, ishte pjesëmarrës vetëm kompania serbe dhe “NOA”.