Editorial: Kryetar apo figurë formale? Pafuqia e Shaqir Totajt, ndryshe nga Muja e Kryeziu

- Gazeta e Prizrenit

Editorial: Kryetar apo figurë formale? Pafuqia e Shaqir Totajt, ndryshe nga Muja e Kryeziu

Shaqir Totaj, në mandatin e parë si kryetar komune, nuk ka arritur të dëshmojë lidership politik. Përjashtimisht ndonjë drejtoreshe të perceptuar si “të pafuqishme politikisht” nga partitë e vogla në koalicion, ai nuk ka ndërmarrë asnjë vendim serioz për shkarkimin e drejtorëve komunalë.

Madje, nuk ka vepruar as në nivelin e paraardhësit të tij partiak, Ramadan Muja, e aq më pak të krahasohet me ish-kryetarin Eqrem Kryeziu ( LDK ), shkruan Gazeta e Prizrenit.

Gjatë mandatit të tij, Kryeziu kishte shkarkuar rreth 14 drejtorë, përfshirë edhe Kryeshefin e Ekzekutivit, Qamil Buzhalen, bashkëveprimtarin e viteve 90 – periudhë e njohur si koha e mbijetesës nën pushtetin serb. Pikërisht këto veprime konsideroheshin shenjë e lidershipit të Kryeziut.

Shkarkimet si instrument pushteti në mandatin e Mujës

Edhe gjatë qeverisjes së Mujës janë shkarkuar drejtorë me peshë të madhe politike, deri në atë pikë sa qytetarët mezi i besonin lajmit. Në gusht të vitit 2016 u shkarkuan gjashtë (6) drejtorë: Hasan Hasani – drejtor për Shërbime Publike, Nijazi Kryeziu ( Urbanizëm ), Bedri Bytyqi ( Inspektorate ), Nexhat Çoçaj ( Arsim), Elhame Berisha ( PMS ) dhe Zyber Rizanaj ( Shëndetësi ).

Do theksuar se Hasani njëherësh ishte edhe nënkryetar, ndërsa Kryeziu sekretar i degës së PDK-së, të dy me ndikim të madh politik deri në momentin e shkarkimit. Natyrisht, këto vendime Muja i mori me mbështetjen e atëhershme të liderit, Kadri Veseli, duke marrë parasysh edhe perceptimin qytetar ndaj të shkarkuarve, ndonëse Rizanaj konsiderohej se “pësoi në pako”.

Pakënaqësia qytetare dhe ironia publike ndaj Totajt

Për më keq, pafuqia e Shaqir Totajt tashmë është kuptuar qartë edhe nga qytetarët, të cilët ia kanë shprehur hapur pakënaqësinë përmes komenteve publike, madje edhe në profilin e tij personal në rrjete sociale. Me ironi, ata e kanë cilësuar si “kryetar të pafuqishëm”.

Në mungesë të vendimeve të guximshme, reflektimeve dhe shkarkimeve domethënëse, mandati i deritashëm i Totajt po perceptohet gjithnjë e më shumë si formal.

Në këtë kontekst, krahasimi është i pashmangshëm: një Shaqir Totaj i pafuqishëm, larg vendimmarrjes së Ramadan Mujës dhe, siç thotë populli – Eqrem Kryeziut “as te këpucët nuk i vjen”. /Gazeta e Prizrenit /

Lexo edhe:

Editorial: Afera e votave në Prizren zbërthen pafuqinë e kryetarit Totaj



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit