Aksidenti tragjik afër Krushes së Madhe: Ky është shoferi që goditi dy këmbësor – njëri vd*iq

- Gazeta e Prizrenit

Aksidenti tragjik afër Krushes së Madhe: Ky është shoferi që goditi dy këmbësor – njëri vd*iq

Një aksident trafiku me fatalitet ka ndodhur më 6 mars 2026, rreth orës 13:10, në fshatin Nagavc të Rahovecit, ku një person ka humbur jetën ndërsa një tjetër ka mbetur i lënduar.

Sipas informacioneve nga strukturat e afërta me hetimin, aksidenti ka ndodhur derisa Fatmir Shala, duke drejtuar veturën në rrugën kryesore nga Krushë e Madhe në drejtim të Rahovecit, në një pjesë të rrugës me kthesë në fshatin Nagavc, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi automjetin për shkak të mos përshtatjes së shpejtësisë me kushtet e rrugës.

Si pasojë, vetura ka dalë nga rruga në anën e djathtë dhe me pjesën e përparme ka goditur dy këmbësorë, të cilët ndodheshin jashtë rrugës, në trotuar.

Nga goditja, Imer Hoti ka pësuar lëndime të rënda dhe gjatë transportimit me autoambulancë drejt Emergjencës së Spitalit Rajonal në Prizren ka ndërruar jetë. Vdekjen e tij e ka konstatuar mjeku kujdestar në emergjencë.

Ndërkohë, këmbësori tjetër, Petrit Berisha, është dërguar për trajtim në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Gjakovë, ku pas tretmanit mjekësor është liruar për në shtëpi.

Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe Prokurori kujdestar, ndërsa me urdhër të tij trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ndërsa i dyshuari është ndaluar në dhomën e ndalimit.

Rasti është duke u hetuar nga autoritetet kompetente./G. Sinjali

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit