Dy persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë kanë mbetur të plagosur në një aksident të rëndë të ndodhur të premten në Rrugën e Kombit.
Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur në segmentin Rrëshen–Milot, ku automjeti i drejtuar nga shtetasi N. P., 61 vjeç, është përplasur me automjetin tjetër të drejtuar nga shtetasi D. P., 30 vjeç.
Si pasojë e përplasjes kanë ndërruar jetë drejtuesi i njërit automjet, shtetasi Nikoll Prenga, si dhe pasagjeri shtetasi Franush Palaj, rreth 57 vjeç, babai i shtetasit D. P.
Po ashtu, i lënduar ka mbetur drejtuesi i automjetit tjetër, shtetasi D. P., së bashku me katër pasagjerë të tjerë. Të gjithë të plagosurit janë transportuar në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku po marrin trajtim mjekësor.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për të përcaktuar shkaqet e aksidentit dhe për të dokumentuar ligjërisht rastin.