Një incident i pazakontë është raportuar në një shkollë në fshatin Ratkoc të Rahovecit, ku një prind dyshohet se ka kërcënuar drejtoreshën e institucionit arsimor, pas pakënaqësive lidhur me vlerësimin e djalit të tij, raporton Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se rasti është denoncuar në Polici nga drejtoresha e shkollës, e cila ka deklaruar se është kanosur nga prindi i një nxënësi, pas një mosmarrëveshjeje që lidhej me rezultatet shkollore.
Pas marrjes së kallëzimit, Policia ka ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore, ndërsa me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti për veprën penale “Kanosje”.