Kamera në maicë e dëgjuese në vesh – kërkohet paraburgimi i tre të dyshuarve për “dallavere” me testet e patentë-shoferit

- Gazeta e Prizrenit

Kamera në maicë e dëgjuese në vesh – kërkohet paraburgimi i tre të dyshuarve për “dallavere” me testet e patentë-shoferit
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre personave të dyshuar për përfshirje në skemën e manipulimit të testeve teorike për patentë-shofer, për të cilën Gazeta Sinjali raportoi ekskluzivisht mbrëmë.

Kërkesa për paraburgim është paraqitur ndaj Habib Kalludrës, Afrim Gecit dhe Erion Gecit, nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “Pranimi i ryshfetit në sektorin privat”.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se më 6 shkurt 2026, në objektin e Stacionit të Autobusëve në Mitrovicë, Habib Kalludra, në cilësinë e instruktorit të një autoshkolle, dhe Afrim Geci, ish-instruktor, kanë pranuar shuma ende të panjohura parash.

Paratë dyshohet se janë pranuar me qëllim që kandidates me inicialet K.K. t’i mundësohej kalimi i testit teorik për patentë-shofer.

Skema dyshohet se funksiononte përmes pajisjeve teknologjike të montuara në rrobat e kandidatëve.

Sipas Prokurorisë, kandidates i ishte montuar në maicë një kamerë, ndërsa në vesh i ishte vendosur një pajisje dëgjuese. Përmes këtyre pajisjeve, të dyshuarit dyshohet se ia tregonin përgjigjet e sakta gjatë testit.

Në të njëjtën mënyrë dyshohet se kishin vepruar edhe me një kandidate tjetër, me inicialet A.D.


Ndërkohë, Habib Kalludra dhe Erion Geci dyshohet se më 31 gusht 2026, po në objektin e Stacionit të Autobusëve, kanë vepruar në bashkëkryerje dhe kanë pranuar shuma të panjohura parash, me qëllim që t’ua mundësonin kalimin e testit kandidatëve Arizona Rushiti dhe Florent Zeneli.

Sipas kërkesës për paraburgim, Rushitit i ishte dhënë një këmishë e zezë me pajisje elektronike të montuar dhe një kufje për ta vendosur në vesh.

Ndërsa Zenelit dyshohet se i ishte dhënë një jelek i zi me pajisje elektronike dhe kufje.

Dy kandidatët ishin udhëzuar që përmes këtyre pajisjeve t’i pranonin përgjigjet e sakta gjatë testimit.

Gjatë operacionit policor ishin sekuestruar pajisjet e komunikimit të gjetura te kandidatët dhe katër telefona mobilë.

Tashmë Prokuroria ka kërkuar caktimin e paraburgimit ndaj Kalludrës, Afrim Gecit dhe Erion Gecit, ndërsa për masën do të vendosë Gjykata Themelore në Mitrovicë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./G.S



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit