Dy grabitje në barnatore në Prizren, mbrojtja e Enis Pulës, kërkon ekspertizë psikiatrike: Nuk mund të ketë gjykim të drejtë

- Gazeta e Prizrenit

Dy grabitje në barnatore në Prizren, mbrojtja e Enis Pulës, kërkon ekspertizë psikiatrike: Nuk mund të ketë gjykim të drejtë

Në Gjykatën Themelore në Prizren me Gjyqtaren Sadije Selmoni është zhvilluar seanca gjyqësore ndaj Enis Pulës, i cili përballet me akuza për vepra penale që lidhen me narkotikë dhe grabitje, raporton Gazeta Sinjali.

Lënda ndaj tij për grabitje, e cila ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, po shqyrtohet sërish në Gjykatën Themelore në Prizren.

Gjatë seancës, mbrojtja e të akuzuarit Avokat Blerim Mazreku ka kërkuar që gjykata të urdhërojë kryerjen e ekspertizës psikiatrike, duke ngritur dyshime lidhur me përgjegjësinë e tij penale dhe aftësinë për të marrë pjesë në procesin gjyqësor.

Sipas mbrojtjes, i akuzuari ka probleme të shëndetit mendor, ndaj është e nevojshme të vërtetohet gjendja e tij në kohën kur pretendohet se janë kryer veprat penale, si dhe të përcaktohet nëse ai është në gjendje të vazhdojë procesin gjyqësor.

Mbrojtja ka theksuar se pa një ekspertizë përkatëse nuk mund të sigurohet një gjykim i drejtë, pasi mbetet e paqartë nëse i akuzuari ka qenë penalisht i përgjegjshëm dhe nëse ka nevojë për trajtim e shërim të vazhdueshëm.

Duke iu referuar qëllimit kryesor të sistemit të drejtësisë, mbrojtja i ka propozuar gjykatës që ta aprovojë kërkesën dhe të urdhërojë kryerjen e ekspertizës psikiatrike, përmes së cilës do të vlerësohej përgjegjësia penale e të akuzuarit, aftësia e tij për të marrë pjesë në gjykim dhe nevoja eventuale për trajtim të vazhdueshëm.

Çfarë thotë aktakuza për grabitjet në barnatore?

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, më 24 dhjetor 2025, rreth orës 22:56, Enis Pula dyshohet se kishte hyrë në barnatoren “Dr. Vjosa Pharm”, në rrugën “William Walker” në Prizren, ku fillimisht kishte kërkuar një shiringë nga punonjësja.

Në momentin kur ajo ishte zgjatur për t’ia marrë shiringën, i akuzuari dyshohet se kishte nxjerrë një thikë dhe, nën kërcënimin e saj, kishte kërkuar t’ia dorëzonte paratë.

Punonjësja, nga frika, ishte larguar nga arka, duke i thënë se do ta lajmëronte Policinë. I akuzuari dyshohet se kishte tentuar të merrte 100 euro, por ishte larguar pa arritur t’i merrte paratë.

Më 25 dhjetor 2025, rreth orës 00:03, Pula dyshohet se kishte hyrë në barnatoren “Omi Pharm”, në rrugën “Ekrem Rexha”, ku, sipas Prokurorisë, kishte kërcënuar me thikë punonjësen dhe kishte arritur të merrte gjithsej 400 euro.


Për këto veprime, Prokuroria e ngarkon Enis Pulën me veprat penale “Grabitja e ngelur në tentativë”, “Grabitja” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas informacioneve që kishte siguruar Sinjali nga burimet brenda Prokurorisë, dy të dyshuarit ishin ndaluar nga njësitet policore në rrugën “Tranziti i Ri” në Prizren, ku gjatë kontrollit të automjetit ishin gjetur substanca narkotike.

Policia kishte konfirmuar se gjatë kontrollit të automjetit dhe shtëpive të të dyshuarve ishin konfiskuar 7.66 gramë kokainë, 9.46 gramë marihuanë, 26.19 gramë hashash, një pushkë gjysmëautomatike, dy pistoleta dhe 346 fishekë të kalibrave të ndryshëm.

Pas arrestimit, Gjykata Themelore në Prizren kishte caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Pulës dhe Binajt, nën dyshimet për veprën penale që lidhet me blerjen, posedimin, shpërndarjen dhe shitjen e paautorizuar të narkotikëve

Ndërkohë, në procesin gjyqësor për grabitje, i cili është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, mbrojtja e Pulës po kërkon që përmes ekspertizës psikiatrike të sqarohet përgjegjësia e tij penale dhe aftësia për të marrë pjesë në gjykim.

I akuzuari prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit