Kurti paralajmëron rritjen e koeficientit të pagave në 120 euro nga korriku 2027

- Gazeta e Prizrenit

Kurti paralajmëron rritjen e koeficientit të pagave në 120 euro nga korriku 2027

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Projektbuxheti për vitin 2027 parasheh rritjen e koeficientit të pagave nga 110 në 120 euro, duke filluar nga 1 korriku i vitit të ardhshëm.

Gjatë mbledhjes së Qeverisë, Kurti ka njoftuar se për vitin 2027 është paraparë edhe paga e 13-të për punonjësit e sektorit publik, e cila pritet të jepet gjatë pjesës së parë të vitit.

Sipas tij, në gjysmën e parë të vitit do të realizohet pagesa e 13-të, ndërsa nga korriku do të hyjë në fuqi rritja e koeficientit të pagave.

Kurti ka bërë të ditur se buxheti për paga do të arrijë në 1 miliard e 85 milionë euro, ndërsa për sektorin publik janë llogaritur rreth 85 mijë punonjës.

Ai ka deklaruar se kjo shumë përkthehet në një pagë mesatare vjetore bruto prej mbi 12 mijë eurosh, apo mbi 1 mijë euro bruto në muaj.

Kryeministri ka theksuar se rritja e pagave do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme.

Duke folur për Projektbuxhetin e vitit 2027, Kurti ka bërë të ditur se ai është planifikuar në vlerë prej 4.27 miliardë eurosh, rreth 200 milionë euro më shumë se buxheti i rishikuar i vitit 2026.

Nga kjo shumë, sipas tij, 908 milionë euro do të ndahen për financimin e drejtpërdrejtë të komunave të Kosovës.

Kurti ka folur edhe për performancën ekonomike të vendit, duke bërë të ditur se rritja ekonomike në tremujorin e parë të këtij viti ishte 5.4 për qind, ndërsa në tremujorin e dytë 4.1 për qind.

FAT Group – 7



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit