Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, duke folur për “Dita Jonë” në “A2 CNN”, u ndal në shumë çështje të futbollit shqiptar. Mes tyre tha mendimin e tij për ligjin e sponsorizimit: “Në fjalën time një vit më parë i kam thënë kryeministrit që sa herë të më kesh përballë do të të kërkoj që të kontribuosh për ligjin e sponsorizimit. Kërkesa për një gjë të parealizuar padyshim që është kritikë.
Natyrisht, gjatë ceremonisë së ‘Topit të Artë’ nuk doja që të bëja kritika, por vetëm falënderime dhe mirënjohje për të gjithë ata që kanë kontribuar. Mos mendoni që nuk e kam bërë këtë gjë jashtë ekranit, apo protokollit. E kam kërkuar përsëri dhe vazhdoj të insistoj. Është një gjë shumë e rëndësishme, futbolli dhe jo vetëm, por i gjithë sporti në Shqipëri ka nevojë për mbështetje financiare.
Çdo njeri, çdo politikan, duke filluar nga Edi Rama dhe të gjithë të tjerët le të mendojnë se futbolli duhet të prodhojë për ta mbajtur veten. Mund të prodhojë niveli i lartë dhe klube të rëndësishme, por si mund të prodhojë Erseka, Maliqi, Puka apo Tropoja për të zhvilluar futbollin. Padyshim që duhet një mbështetje financiare dhe qeveria duhet të gjejë mënyrën.
Ajo që kemi propozuar është eksperienca e vendeve të tjera, ne nuk kemi shpikur asgjë. Kemi propozuar atë që pothuajse bëjnë të gjitha shtetet e Europës, atë që bëjnë shqiptarët tanë në Kosovë. Madje Kosova do ta kalojë Shqipërinë. Në nivelin e klubeve, Kosova vërtet e ka kaluar Shqipërinë. Kjo është e vetmja gjë që ka më mirë Kosova, ligjin e sponsorizimit.
Ne kemi organizim të mirë në përgjithësi, mbase më të mirin në rajon. Kemi infrastrukturë të kënaqme për nivelin profesional, por jo të mjaftueshme për të gjithë numrin e futbollistëve që në duam të luajnë futboll. Kushdo që flet kundër ligji të sponsorizimit është dashakeqës, nuk e do futbollin, nuk e do sportin dhe nuk do që ne të kemi pavarësi dhe të bëjmë hapa pozitivë.
I thashë dje kryeministrit që bëje tani para zgjedhjeve, pse duhet të presim. Buxheti për sportin në Shqipëri është 1 milion euro, nga ky buxhet për futbollin, që nga viti 2002, fatkeqësisht shuma është zero.
Me përjashtim të dy viteve të fundit, që në mënyra spontane le të themi, nga buxheti është dhënë diçka për futbollin, por është minimale krahasimisht me atë që ne organizojmë. Vetëm një transfertë e ekipit tonë në Angli koston 250 mijë euro. Si do ta bëjë një klub, nëse do të shkojë të luajë në Angli, do të shkojë me tri ndalesa, akomodim jo i mirë dhe padyshim do të performojë keq.
Është e vërtetë që kemi bërë përparime, ne kemi ndryshime në infrastrukturë, qoftë edhe për shkak të investimeve nga buxhetet e bashkive apo të ekzekutivit, jo vetëm në futboll, por edhe në sportet e tjera. Duhet akoma më shumë, nëse ne pretendojmë që duhet të kemi shumë njerëz që të luajnë futboll. Kryeqyteti ka mungesë të jashtëzakonshme të infrastrukturës sportive. Qytetet e tjera janë në një lloj mënyre më mirë se Tirana”.
Një mendim edhe për rikthimin e basteve: “Dua të sktësoj një gjë dhe të ripërsëris atë që kam thënë kur kam kërkuar që bastet sportive të legalizohen, nuk kam thënë të hapen. Bastet sportive në Shqipëri nuk janë mbyllur kurrë, kanë vazhduar të jenë.
Ajo që unë kam thënë është që përderisa ky aktivitet bëhet, me aktivitetin tonë luhet, pra vihet baste me sportin, atëherë pse ne të mos marrim një pjesë financiare. Duke qenë që ky aktivitet bëhet, le të legalizohet dhe të formalizohet. Në dijeninë time ligji është miratuar, por është deformuar nga premtimi dhe ajo që është diskutuar në fillim.
Nuk e di se çfarë idiotësie është që nëse një reklamë bastesh në fanellë korrupton sportin. Është populizëm i bërë nga disa njerëz të vegjël brenda komunitetit politik, që shesin populizëm, sikur janë të ndershëm, por nuk janë të tillë.
Një reklamë nuk ndryshon asgjë. Nëse nuk do të ketë baste, ndaloji, por ama ndalojo vërtet. Bastet luhen dhe taksat nuk paguhen, kësisoji as shteti dhe as sporti nuk përfitojnë asgjë. Janë bërë dhe deformime, por akoma nuk është realizuar formalizimi i basteve”.