Mareska: Nuk i zë besë

- Bota Sot

Mareska: Nuk i zë besë

Pas tri humbjeve radhazi, Çelsi do të përpiqet që të rikthehet te fitorja këtë javë në Premier Ligë, ndërsa sot “Blutë” do të presin Sauthemptonin, skuadrën e fundit në klasifikim.

Enco Mareska e nisi konferencën për shtyp me një përditësim për dëmtimin e Trevoh Çalobahut: “Ai bëri një kontroll dje dhe do të mungojë për 7-10 ditë.

Nga njëra anë është pozitive, sepse nuk është një dëmtim serioz, por nga ana tjetër është për të ardhur keq, sepse humbasim një tjetër lojtar në këtë moment, kur kemi kaq shumë dëmtime”.

Filip Jorgensen gaboi në ndeshjen me Aston Vilën, por trajneri italian e konfirmoi sërish numrin 1 në portën e Çelsit: “Ai është në rregull. Ndihet pak i trishtuar, sepse e kupton që bëri një gabim, por sigurisht që mbetet numri ynë 1. Nëse do të zëvendësonim një lojtar ccdo herë që ai bën një gabim, atëherë na duhet të ndryshojmë shumë lojtarë ndeshje pas ndeshje”.

I pyetur nëse Sauthemptoni është ndeshja ideale për të nisur kthesën, Mareska shtoi: “Unë nuk i besoj ndeshjeve të tilla, ato mund të jenë ndërlikuara. Po të shihni ndeshjen e tyre kundër Mançester Junajtidit, ata ishin duke fituar 1-0 në pesë minutat e fundit. Tani çdo skuadër luan për diçka, kështu që do jenë të gjitha ndeshje të vështira.

Ne do përgatitemi për të fituar. Çdo ndeshje e luajmë për ta fituar. Kjo është detyra jonë. Nga tani kemi edhe 12 ndeshje dhe të gjitha duhet t’i fitojmë”.

Mareska përfundoi duke thënë se nuk është i shqetësuar për formën e Kol Palmerit, i cili ka pesë ndeshje që nuk shënon në kampionat:

“Jo, unë jam gjithnjë i shqetësuar për paraqitjen e përgjithshme të skuadrës. Nuk jam i shqetësuar për Kol, sepse ai është një njeri dhe si çdo qenie njerëzore mund të ketë disa vështirësi gjatë sezonit ku vuan pak më tepër.

Problemi me të është se ne gjithçka e varim tek ai dhe unë kam thënë se ne duhet të jemi të varur te skuadra. Na duhen lojtarë klasi, si Kol, por nuk jemi aspak të shqetësuar për të. Ai duhet të vazhdojë që të punojë”.



Read it all at Bota Sot