Në prag të ndeshjes që Inter do të luajë sot në Champions League ndaj Feyenoord, foli për mediat edhe mbrojtësi Stefan De Vrij. “Kemi përballë një ekip të fortë, pasi Feyenoord ka mundur ekipe të mëdha si Bayern Munich dhe Milan”, janë fjalët e mbrojtësit të Inter.
“Inter gjithmonë luan për të fituar. E di shumë mirë ndikimin e këtij stadiumi te kundërshtarët, por ne duam të tregojmë forcën tonë. Deri më tani në Champions kemi bërë shumë mirë në fazën e mbrojtjes dhe këtë duam ta demonstrojmë edhe sot”, tha De Vrij.
Holandezi konfirmoi se qëndrimi i skuadrës nuk do të ndryshojë pavarësisht mungesave: “Mendoj se nuk do të ndryshojë mënyra se si luajmë, parimet tona. Kemi shumë vite që luajmë bashkë, të gjithë e dinë se çfarë duhet të bëjnë. Lojtarët ndryshojnë, por ne jemi gati”.
“Ne gjithmonë përpiqemi të kemi një fazë të shkëlqyer mbrojtëse, të mos pësojmë gola. Në Champions League gjërat shkuan mirë dhe padyshim që duam të vazhdojmë kështu. Ne mendojmë ndeshje pas ndeshje dhe duam të shkojmë deri në fund në të gjitha garat”, tha De Vrij.