Sulmuesi i Arsenalit, Bukayo Saka është ende ‘disa javë’ larg rikthimit në aksion sipas trajnerit Mikel Arteta.
Shefi i ‘Topçinvje’ ka thënë para gazetarëve se pavarësisht faktit që rikuperimi i Sakas po shkon mirë, reprezentuesi anglez nuk do të rikthehet me ekipin e parë për të paktën edhe disa javë.
Kjo pasi 23-vjeçari iu nënshtrua një operimi pas lëndimit që pësoi në ndeshjen ndaj Crystal Palace në dhjetor.
Arsenali ka pësuar një numër lëndimesh këtë sezon, ku sulmues të rëndësishëm si Kai Havertz dhe Gabriel Jesus janë në mesin e lojtarëve që i janë bashkuar Saka në listën e të lënduarve.
Kjo ka lënë skuadrën me një vijë të sulmit të përbërë nga Leandro Trossard, Mikel Merino dhe 17-vjeçari Ethan Nwaneri, diçka që ka ndikuar tej mase në shanset e tyre për titull kampion në Ligën Premier.
“Pas pushimit me kombëtare le të shohim se ku do të jetë ai (Saka). Progresi i tij është shumë i mirë, ai është shumë i gatshëm siç mund të imagjinoni, kështu që jemi pozitivë se brenda disa javëve do të rikthehet”.
Tekniku spanjoll gjithashtu foli edhe për epërsinë e Liverpoolit prej 15 pikësh në krye të tabelës.
“Nuk dua ta them këtë (që ka mbaruar gara për titull), por frustrimi është se ne nuk kemi fituar ndeshjen tonë”.
“Ne e dimë urgjencën dhe ju jeni të obliguar ta fitoni çdo ndeshje. Ju nuk keni asnjë shans që ta bëni këtë, kështu që nuk mendoj se është momenti i duhur për të biseduar rreth kësaj”, ka thënë Arteta.