Fenerbahçe ishte shumë pranë një përmbysjeje historike, por u eliminua nga Rangers. Jose Mourinho, si shpeshherë, u rikthye te vendimet e arbitrave: “Nuk mund të them çfarë po kaloj, sepse nuk dua të ndëshkohem nga UEFA.
Shpresoj që ajo që na ndodhi këtë vit në Europë të mos jetë pasojë e finales që luajtëm në Budapest. Shpresoj që të jenë thjesht episode të veçuara. Ndeshja me Manchester United, penalltitë, ajo që ndodhi sot… Thuhet se arbitri i VAR-it, Van Bokel, është një nga më të mirët në botë…”
Trajneri portugez vijoi: “Kur humbet një ndeshje të tillë, e gjithë skuadra është e trishtuar. Ai që gaboi te penalltia do ta ketë atë moment në mendje kur të shkojë për të fjetur.
Nuk besoj se arbitri i VAR-it do të ketë pagjumësi sonte, do të hajë i qetë dhe do të flejë mirë.
Pastaj do të merret sërish me një tjetër ndeshje të madhe gjatë pushimit të kombëtareve. Nga ana tjetër, ne humbëm ëndrrën tonë sonte, na u bë një padrejtësi”.
Pavarësisht eliminimit, Mourinho nuk fshehu krenarinë për lojtarët e tij: “Jam shumë krenar për ekipin tim.
Nga ana e lojës, ishim dukshëm ekipi më i mirë në fushë.
Edhe nëse do të kishim fituar me penallti dhe do të kishim kaluar tutje, nuk do të mund të isha më krenar se kaq”.